Jeta në Zvicër

Kosovari merr 7.5 vjet për tentimvrasje, por nuk dërgohet në burg

Ai nuk do të mbajë burg pasi që dënimi do t`i shndërrohet në masë risocializuese, në fund të të cilës mund të dëbohet në Kosovë

Kosovari, atëbotë 21 vjeç, së bashku me shokun e tij zviceran 2 vjet më të ri, në një zonë të banuar në Wetzikon të Cyrihut  po bënin zhurmë të madhe. Ishte pak para mesnatës, në dhjetorin e vitit  2012 dhe Simoni 27 vjeçar nuk po mundte të flinte nga zhurma.  Ai del nga banesa për t`i lutur dy zhurmaxhinjtë që të ulnin tonin. Me vete e merr, për t`u mbrojtur në rast sulmi, një sqepar alpinistësh. Por, në konflikt e sipër kosovari ia merr sqeparin nga dora dhe e godet në shpinë Simonin, i cili pëson lëndim të rëndë dhe duhet t`i nënshtrohet një operacioni.

“Ka pasur fat të madh që nuk ka vdekur”, thotë avokati i tij para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Hinwil.

Kosovari, sot 23 vjeçar akuzohej për tentim vrasje. Prokurori kishte kërkuar tetë vjet burg dhe 1000 franga gjobë. Por, burgu do t`i shndërrohej në masë risocializuese speciale, ku ai do të mund ta kryente edhe shkollimin e lënë në gjysmë.

I akuzuari ka shprehur keqardhjen përse ka mundur të ndodhë kjo, por ai ka thënë se goditja ka qenë e paqëllimshme. Edhe avokati i tij ka kërkuar dënim prej maksimalisht 18 muajsh, për lëndim të thjeshtë trupor, shkrun zol.ch. Por, trupi gjykues e ka vlerësuar aktin si tentim vrasjeje. Ai i ka shqiptuar kosovarit një dënim prej shtatë vjet e gjysmë heqjeje lirie. Mirëpo ai nuk do të mbajë burg pasi që dënimi me burg do t`i shndërrohet në masë risocializuese. Dënimit i shtohet  edhe gjoba prej 1000 frangash dhe detyrimi për pagimin e dëmshpërblimit dhe shpenzimeve procedurale prej mbi 42 mijë frangash.

Përmes kësaj mase synohet për herë të fundit risocializimi i kosovarit i cili që nga mosha e tij 15 vjeçare ka filluar me delinkuencë. Sipas kryetarit të trupit gjykues, i dënuari 23 vjeçar mund të dëbohet në Kosovë menjëherë pas përfundimit të masës risocializuese apo burgut. Në këtë të fundit ai mund të dërgohet në rast mosfunksionimi të masës së përmendur