E-Diaspora

“Furriku i dreqit”, drama që solli në kujtesë përjetimet e luftës

Në këtë dramë, aktorët paraqitën atmosferën e luftës në Kosovë, të vrasjeve e përdhunimeve që janë bërë gjatë asaj periudhe

Të shtunën në mbrëmje, në sallën e Bibliotekës Ndërkulturore “Pestalozzi” në Hardau të Cyrihut u shfaq premiera e dramës “Furriku i Dreqit” me regji të Adem Kicës.

Kjo dramë publikut i dhuroi një emocion të veçantë, duke e kthyer edhe njëherë në periudhën e luftës dhe të vuajtjeve të shkaktuara nga ajo. Në këtë dramë, aktorët paraqitën atmosferën e luftës në Kosovë, të vrasjeve e përdhunimeve që janë bërë gjatë asaj periudhe.

“Shfaqja ka qenë fenomenale dhe aktorëve u uroj suksese sepse me të vërtetë kanë qenë shumë të mirë në rolet e tyre. Ka qenë ndjenjë e rëndë për mua që të përjetoj edhe njëherë luftën, mirëpo kjo është e rëndësishme sepse ne nuk duhet ta harrojmë se sa e vështirë ka qenë ajo kohë” tha Leonard Radi, njëri nga shumë artdashësit që panë shfaqjen.

Gjithashtu e pranishme ishte edhe drejtoresha e Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë në Cyrih, Shukrie Ramadani. Ajo tha se këto tema janë të rënda dhe është shumë vështirë që të përjetohet diçka e tillë, mirëpo është shumë e rëndësishme që këto tema të trajtohen dhe mos të harrohen.

“Ndoshta është pak herët që t`i trajtojmë këto tema por për gjeneratat e ardhshme është shumë e rëndësishme. Aktorët ishin shumë profesionalë, dhe e kan bërë një lojë të shkëlqyer. Është shumë e rëndësishme që të kemi sa më shumë shfaqje dhe jo vetëm me temë të luftës por edhe me të tjera. Ne kemi shumë aktorë të mrekullueshëm këtu në Zvicër, dhe edhe pse shfaqjet të jepen në gjuhën shqipe ne duhet t`i afrojmë edhe qytetarët zviceranë” tha Ramadani.

Ndërsa aktori Ilmi Hajzeri, i cili është paraqitur me njërin nga rolet e kësaj drame u shpreh i kënaqur me praninë e madhe të publikut në sallë. “Jam i fascinuar nga pjesëmarrja kaq e madhe e publikut shqiptar këtu në Zvicër, gjë kjo që tregon se populli shqiptar po i kthehet artit. Në dramën “Furriku i Dreqit” që do të thotë “Foleja e Dreqit” regjisori Adem Kica përmes këtij titulli ka dashur ta paraqesë diktaturën millosheviçiane të asaj kohe në Kosovë.”

Hajzeri në ndër tjera shtoi se populli shqiptar këtu në Zvicër e meriton artin dhe ne duhet t`ia ofrojmë atë. “Duhet të ketë edhe shfaqje të tjera teatrale sepse shqiptarët e meritojnë artin dhe nuk janë për tallavanë”

Përveç Adem Kicaj që ishte edhe aktor edhe regjisor, në rolet tjera në këtë shfaqje u paraqitën edhe: Ilmi Hajzeri, Doruntina Jahelezi, Mehmet Haxhosaj, Drita Rama, Shpend Gashi, Ekrem Zymeri, Musa Qerkinaj, Shpresa Mazrekaj dhe Albana Mexhuani.

Pas shfaqjes së suksesshme të dramës, ishte organizuar një apero për të gjithë artdashësit e pranishëm.