E-Diaspora

Linda Nikolla, parukierja që po përfaqëson me sukses Zvicrën

Parukierja dhe stilistja, Linda Nikolla, shqiptare nga Kosova, tash e një kohë jeton në Zvicër dhe është bërë mjaft e njohur në botën e profesionit të saj

Është vetëm 25-vjeçare por ka arritur shumë në profesionin e saj, madje tash e një kohë përfaqëson shtetin zviceran në kampionatin botëror të parukerisë. Këtë do ta bëjë edhe këtë vit në kampionatin “Color Zoom” që mbahet në Berlin të Gjermanisë ku edhe shpreson të shpërblehet me një nga vendet e para.

Kjo është parukierja dhe stilistja, Linda Nikolla, shqiptare nga Kosova, e cila tash e një kohë jeton në Zvicër dhe është bërë mjaft e njohur në botën e profesionit të saj.
“Janë bërë disa vite që merrem me këtë profesion si parukiere dhe stiliste dhe grimere . Kisha fat që hobin tim ta bëj profesion, kështu që me punë shumë të madhe arrita të jem e pranishme në gara nacionale dhe ndërkombëtare në botën e modës.

Suksesi im i parë ishte ai në SwissCup”, thotë Linda duke shpalosur për albinfo.ch rrugën e saj të deritashme dhe planet për të ardhmen.
Ajo ka treguar se po punon shumë edhe këtë vit që të jetë pjesë e “Color Zoom”, garë kjo ku marrin pjesë shumë shtete dhe dëshira e saj është që këtë vit atje ta përfaqësojë shtetin shqiptar.
“Si shqiptare të përfaqësosh një vend tjetër nuk është shumë e lehtë, por fatmirësisht kisha fatin që shumë herë ta përfaqësoja Zvicrën në kampionatin botëror ku edhe u shpërbleva me shumë çmime. Shpesh herë edhe mërzitem nga se po të kisha mbështetje nga vendlindja ime, natyrisht do të isha duke garuar për shqiptarët aty. Këtë vit dua edhe një here ta provoj veten, të marr pjesë në kampionatin botëror “Color Zoom”, dhe shpresoj që të rikthehem nga aty në Zvicër me vendin e parë por natyrisht si shqiptare. Jam duke u përgatitur shumë për të marrë pjesë në këtë event që këtë vit mbahet në Berlin”, ka shtuar ajo.

(Linku i eventit të vitit 2013 i cili u mbajt në Los Angelos: http://youtu.be/707FxuJxogo)

Më tutje Linda tregon se gjatë muajit maj ka realizuar një videoklip me të cilin afirmon idenë se të gjithë kanë të drejtë për të ndikuar për një jetë më të mirë.
“Në protestën e një majit që mbahet në Cyrih me mbështetjen e shumë iniciatorëve dhe aktores, Sira Topic, kemi realizuar një klip. Qëllimi i klipit është që të gjithë, pa dallim gjinie, mund të ndikojmë në shtet e në politikë e po ashtu tek njerëzit dhe kudo. Kjo tregon se pavarësisht përkatësisë tënde etnike, nëse e do vendin ku jeton, edhe ti ke të drejtë të ndryshosh diçka. Videoja do të lansohet shumë shpejt si në mediet zvicerane ashtu edhe në kanalin youtube”, ka theksuar ajo duke treguar se tashmë shumë shqiptarë po bëhen pjesë në vendimmarrje në këtë shtet.

Nikolla ka thënë se ndihet mirë që jo vetëm ajo por edhe shumë shqiptarë të rinj të tjerë në Zvicër, me talentin e tyre po ndryshojnë mendimin për shqiptarët.
“Besoj se së shpejti shumë talente që jetojnë në shtetin helvetik do t’ua ndryshojmë medieve dhe popullit zviceran mendimin që kanë për shqiptarët që jetojnë këtu. Dhe kjo është diçka e mirë që po ndodh”.

Linda kohëve të fundit bëhet lajm në mediet tona për çdo postim apo foto që poston në rrjetin e saj social. Shumë herë ajo edhe keqinterpretohet nga mediet dhe kjo gjë po e mërzit shumë parukieren dhe stilisten e njohur në Zvicër.

Linda ka mohuar se ajo është e lidhur me aktoren franceze Sira Topic për çfarë kohëve të fundit ishte shkruar shumë. Ajo thotë se aktoren franceze e ka mikeshë shumë të mirë.
“Sa i përket lidhjes sime me Sira Topic, s`kam shumë për të thënë, përveç se është e vërtetë që e kamë mikeshën më të ngushtë, thjesht e kam si motër”, ka thënë Linda duke na treguar se ajo është e dashuruar por ende nuk ka vendosur ta bëjë publike lidhjen e saj.

“E dashuruar jam gjithë kohën sepse nuk mund të ndalem pa e dashuruar familjen time, ata janë të vetmit që e ndajnë çdo moment të jetës së tyre me mua. E sa i përket lidhjes …jam në lidhje …”, ka thënë ajo.

Linda Nikolla është njëra ndër shqiptaret më të suksesshme në lëmin e saj në Zvicër ndërsa premton se shumë shpejt ajo do të vijë me projekte të reja për të cilat thotë se do të ndjehen mirë si shqiptarët edhe zviceranët.

Po ndodh diçka e mirë
“Besoj se së shpejti shumë talente që jetojnë në shtetin helvetik do t’ua ndryshojmë medieve dhe popullit zviceran mendimin që kanë për shqiptarët që jetojnë këtu. Dhe kjo është diçka e mirë që po ndodh”.