E-Diaspora

Vijnë filmat kosovarë por jo edhe regjisorët, nuk u jepen vizat!

Problemi i vizave ka shënuar edhe këtë festival: Filmbërësit që duhej të vinin nga Kosova kanë munguar pasi që nuk u janë dhënë vizat

Në vitin e tetë të tij, festivali hapi dyert të premten në mbrëmje në Bazel, për t’u promovuar projektet filmike të regjisorëve, skenaristëve dhe producentëve jo vetëm nga Kosova e Zvicra, por edhe nga Shqipëria, Gjermania, Austria dhe Maqedonia.

Para se të fillonte shfaqja e 7 filmave të natës së parë, fillimin e festivalit e përshëndeti edhe ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli.

“Në këto tetë vjet të jetës së vet “Swikos” ka arritur të bartë para jush dhe para opinionit vlerat e kulturave të vendeve të ndryshme. Për ne si Kosovë është shumë e rëndësishme që me aktivitete të tilla po arrijmë të shfaqim kulturën e vendit tonë, kulturën shqiptare, duke e vendosur atë në pjesën e kulturave evropiane dhe botërore“, tha në hapje të festivalit ministri Makolli.

E entuziazmuar me një aktivitet të këtillë kulturor është treguar edhe Shukrie Ramadani, u.d. e drejtoreshës së Qendrës Kulturore për Mërgatën dhe Diasporën në Zvicër. Ajo tha se arti gjithmonë ndërton ura më së miri mes njerëzve, dhe këtë mezash po e sjell për çdo vit Swikos në Bazel. „Dhimbja e dashuria gjithmonë gjithkund i bashkon njerëzit“, tha Shukrije Ramadani.

Për çdo vit po vijnë filma të shkurtër edhe më të mirë nga Kosova, flasin nga ana tjetër organizatorët e festivalit.

„E veçanta e festivalit të tetë është edhe interesimi shumë i madh që kanë treguar edhe producentët zviceranë nga e tërë Zvicra. Konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Kemi punuar një kohë të gjatë për të përzgjedhur filmat më të mirë që vijnë sonte dhe nesër në konkurrim. Këtë vit është ndarë buxheti edhe për çmimin e parë. Sivjet do të zgjedhen edhe profesionistët e filmit për të qenë pjesë e festivalit në edicionet e ardhshme“, ka thënë drejtori i festivalit, Florin Brajshori. Ai tha po ashtu se tashmë bashkëpunimi i filmbërësve Kosovë-Zvicër ka arritur në atë nivel saqë po punohet për përgatitjen e një filmi të përbashkët që do të jetë në konkurrencë në edicionet e ardhshme të festivalit.

Me filmin “Cushion” të zviceranes Ninian Green ka filluar të premten në mbrëmje konkurrimi i filmave.

Njëri nga përfaqësuesit e jurisë, regjisori dhe aktori kosovar, Bekim Guri, tha se ajo që i dallon filmat kosovarë nga ata zviceranë është më shumë përmbajtja, që është e rëndë. Por ka edhe filma që me komedi të zezë tregojnë ngjarjet.

“Filmi “Ballkoni” nga Lendita Zeqiri me anë të komedisë tregon jetën rutinë që ndodh në Kosovë. Me këtë komedi të zezë ka pasur shumë suksese nëpër botë. Filmi ka fituar 5 çmime, ka shëtitur nëpër shumë festivale, duke pëfshirë dhe Venecien, festivalin më të madh dhe më të vjetër në Evropë”, thekson regjisori dhe anëtari jurisë së festivalit të sivjetmë, Bekim Guri. Ka filma të mirë, edhe pse nuk mund të përafrohen nga ana materiale me filmat zviceranë, sa i përket cilësisë disa edhe i tejkalojnë.

“Në këtë festival filmat nga Kosova përballen denjësisht me ata zviceranë, madje disa janë edhe më të mirë”, thotë Guri, filmi i të cilit vitin e kaluar kishte marrë çmim nga “Swikos”.  “Heshtja”, filmi i Bekim Gurit, ka shëtitur nëpër 60 festivale dhe ka marrë deri tani 9 çmime.

Shumica e filmave në gjuhën gjermane janë nga studentë të akademisë së filmave të Cyrihut, akademisë së Berlinit dhe Vjenës, ndërsa filmat nga Kosova tashmë janë të njohur nëpër festivale të ndryshme në botë.

„Amen“ që vjen nga një studente nga Kosova, është projekt filmik që ka pasur rrugëtim të mirë nëpër shumë festivale.

Guri ka lavdëruar kinomatografinë kosovare, e cila, sipas tij, është në rrugë të drejtë sidomos me filmin e shkurtër që ka prezentuar shumë më mirë vendin nëpër botë.

„Viteve të fundit janë 4 filma nga Kosova që kanë ecur shumë mirë nëpër festivale. Bëhet fjalë për filmat  “Kolona”, Kthimi” i Blerta Zeqirit, “Ballkoni”, “Ameli” i More Races, duke i përfshirë edhe disa nga filmat e gjatë kanë mbërritur deri në 500 festivale, duke fituar edhe çmime.

Por, vështirë mbetet të sigurohet buxhet për të bërë filma në Kosovë.

„Qendra kinematografike e Kosovës ka një buxhet që nuk arrin t‘i përmbushë kërkesat e njerëzve që dëshirojnë të bëjnë filma. Filmi kushton dhe është një industri e shtrenjtë. Deri tani shteti ka ndarë 500 mijë euro buxhet për filma, fond ky që mbulon vetëm koston e një filmi të gjatë“, tregon Guri. 

Një tjetër film që ka impresionuar publikun ishte “Përqafimi” i regjisorit Lulzim Guhelli, pastaj edhe „Darka“ e Lendita Zeqirit.

“Swikos” ka nderuar me një çmim kampionin e dyfishtë të botës në Kickbox, shqiptarin nga Zvicra, Faton Vukshinaj.

Programi i ditës tjetër do të vazhdojë me shfaqjen e 7 filmave të tjerë që do t’i përfaqësojnë Kosovën, Maqedoninë, Zvicrën dhe Gjermaninë.

Nata e dytë e festivalit do të jetë nata e qilimit të kuq dhe e shpërblimeve, ku do të mungojnë filmbërësit nga Kosova. Për shkak të vizave, filmat e tyre mbërritën në Zvicër, por jo edhe regjisorët dhe aktorët e tyre.