Jeta në Zvicër

Kurrë më pak viktima në trafikun rrugor të Zvicrës

Në vitin 1971 kanë vdekur 1771 persona ndërsa në vitin 2013, 269 sish. Në krahasim me vitin 2012, vitin që shkoi kanë humbur jetën 71 persona më pak

Siguria në rrugët e Zvicrës ka shënuar përparim të theksuar viteve të fundit. Kështu, gjatë vitit 2013 në aksidentet e trafikut rrugor kanë humbur jetën 269 persona, numër që është për 70 më i vogël se ai i një viti më parë. Në përqindje i bie që ka pasur plot 21 për qind më pak të pësuar. Gjithsej janë regjistruar 21379 të lënduar. Ndërsa në trafikun hekurudhor ka pasur 23 të vdekur dhe 72 të lënduar.

Në aksidentet ajrore gjatë vitit 2013 janë shënuar 14 të vdekur dhe 12 të lënduar

Siç bën të ditur Zyra Federale për Statistika (BFS) një numër kaq i ulët i viktimave në trafikun rrugor, për herë të fundit qe regjistruar në vitin e largët 1945, shkruan srf.ch. Kur dihet se sa i rrallë ka qenë komunikacioni në atë kohë, çdo krahasim me vitin 2013 është  tepërt.

BFS e shpjegon këtë rënie me faktin se janë bërë më të sigurta si automjetet ashtu dhe rrugët.

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë vitit të kaluar në Zvicër nuk ka ndodhur asnjë aksident në trafikun rrugor me numër të madh viktimash. Një rast i tillë pati ndodhur në vitin 2012 në Siders (Valis) kur kishin humbur jetë 28 fëmijë dhe shoferi në aksidentin e një autobusi.

Ndërsa viti kur ka pasur numër rekord viktimash në trafikun rrugor në Zvicër ka qenë viti 1971 kur në 30 mijë aksidente kishte pasur 1771 të vdekur!

Përqindja më e madhe e viktimave është në mesin e ngasësve të motoçikletave. Mundësia e humbjes së jetës në motoçikletë është 300 herë më e madhe se në tren.