Shkurt.ch

36 milionë njerëz të prekur nga skllavëria moderne

Këto shifra vijnë nga raporti i fundit i fondacionit australian “Walk Free”

36 milionë “skllevër” ekzistojnë në gjithë botën. Kjo shifër i referohet shfrytëzimit seksual, si dhe punës së detyruar ose edhe martesave të detyruara. Këto shifra vijnë nga raporti i fundit i fondacionit australian “Walk Free”.

Studimi është realizuar në 167 vende të botës. Më shumë se gjysma e rasteve janë raportuar vetëm në pesë shtete: Indi, Kinë, Pakistan, Uzbekistan dhe në Rusi.
“Problemi në Indi është se ligjet kundër skllavërisë gjejnë pak zbatim”, thuhet në studim, sipas Michael Radunski, një gazetar në Nju-Delhi.

Sipas raportit, India me 14.3 milionë viktima është në krye të vendeve në të cilat skllavëria moderne është përhapur.

Më të prekur janë njerëzit e kastës së ulët, pakicat fetare, gratë dhe fëmijët.

Në qytete ekziston sidomos prostitucioni i detyruar.

“Shumë fëmijë bien në kthetrat e bandave të organizuara të lypsarëve”, thotë Radunski.

Një tjetër problem është edhe borxhi që kalon nëpër breza. Për shembull, nëse një njeri i varfër i familjes merr hua për të blerë ilaçe për një anëtar të sëmurë të familjes, shlyerja mund të zvarritet për vite me radhë.

“Do të thotë, e gjithë familja do të ketë nevojë për ndihmë për të shlyer borxhin”, thotë Radunski.