Shkurt.ch

391 mijë franga, pasuria mesatare e çdo zvicerani

Ndërsa pasuria private neto e të gjitha ekonomive familjare të Zvicrës të marra së bashku në vitin 2013 ka qenë 3186 miliardë franga

Pasuria që zotëron një zviceran mesatarisht ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2013. Zvicerani mesatar ka në konton e tij mesatarisht 391 mijë franga, që është rreth 15 mijë franga më shumë se një vit më parë. Faktorët kryesorë të kësaj ngritjeje janë kursi i aksioneve në rritje dhe çmimet më të larta të patundshmërive.

Pasuria private neto e të gjitha ekonomive familjare të Zvicrës të marra së bashku në vitin 2013 qe ngritur për 5 për qind duke arritur shifrën prej 3186 miliardë franga. Këtë shumë e ka publikuar Baka Nacionale e Zvicrës përmes një komunikate të publikuar të enjten. Me këtë nivel të pasurisë është tejkaluar edhe një herë rekordi që ishte arritur vitin e kaluar.

Rol parësor për shtimin e pasurisë private kanë pasur fitimet kapitale dhe pjesëmarrja në skemat e investimeve kolektive  (59 miliardë franga). Veç kësaj, vlera  përgjithshme e patundshmërive (të  banimit) e personave privatë është rritur për 77 miliardë duke u bërë 1739 miliardë franga.