Shkurt.ch

Aksidentohet autobusi zviceran në Norvegji: tre të vdekur

Nuk është publikuar nacionaliteti i viktimave. Por, të gjithë 16 pasagjerët në autobus përfshirë edhe shoferin, kanë qenë nga Zvicra

Një autobus turistësh nga Zvicra ka pësuar një aksident të rëndë në Norvegji, me ç`rast kanë humbur jetën tre udhëtarë dhe ka pësuar lëndime të rënda një tjetër. Autobusi kishte dalë nga rruga dhe ishte përplasur në një mur.

Personi me lëndime të rënda është transportuar me helikopter në spitalin Namsos, shkruan “VG”. Të lënduarit tjerë, me lëndime më të lehta, kanë marrë trajtim mjekësor  në spitalet e afërta.

Disa nga pasagjerët nga fuqia e përplasjes janë hedhur nga autobusi dhe kanë përfunduar nën autobus.

Aksidenti ka ndodhur në mesditën e sotme, në autostradën E6 në afërsi të qytetit Flåttådal.

Policia nuk ka dalë ende me të dhënat lidhur me shkaqet e aksidentit, shkruan 20minuten.ch. Ajo nuk ka publikuar as nacionalitetin e viktimave. Por siç shkruajnë mediet zvicerane, të gjithë 16 pasagjerët në autobus përfshirë edhe shoferin, kanë qenë nga Zvicra. Firma që ka organizuar udhëtimin  ka qenë “Eurobus Knecht” nga Windisch-i i kantonit Aargau.