Shkurt.ch

Azilkërkuesit strehohen në shtëpi private

Gjashtë familje janë shprehur të gatshme për të strehuar azilkërkues, për të cilët shteti do të paguajë qiranë. Ndërsa 150 të tjera kanë treguar interesim

Fluksi i madh i azilkërkuesve ka ballafaquar Zvicrën me problemin e sigurimit të hapësirës për strehimin e tre. Kjo ka bërë që të shikohen mundësi dhe forma të reja për t`u përballur me situatën.

Në kantonin Vaud është duke u zhvilluar një projekt për strehimin e refugjatëve nëpër shtëpitë private të zviceranëve. Ky pilot-projekt organizohet nga organizata që mbështet refugjatët “Schweizerische Flüchtlingshilfe” e kantonit.

Deri më tash gjashtë familje janë deklaruar të gatshme për të strehuar azilkërkues, për të cilët shteti do të paguajë qiranë. Ndërsa 150 familje tjera kanë treguar interesim për këtë lloj strehimi në kuadër të projektit,  shkruan Neue Zürcher Zeitung.

Në kantonin Vaud prej kohësh praktikohet që azilkërkuesit të strehohen te bashkatdhetarët e tyre që jetojnë këtu, natyrisht, me mbeshtetjen e shtetit.

Megjithëse pikërisht kohëve të fundit Zvicra po përballet me një fluks të madh të refugjatëve, kryesisht nga Siria dhe Eritrea, përkimi i kësaj me projektin e përmendur është një rastësi. Ideja për strehimin privat të azilkërkuesve ka lindur dhe është lancuar në vjeshtën e vitit të kaluar.
Azilkërkuesit e parë që do të trajtohen me këtë model të ri strehimi, në shtëpitë e qytetarëve zviceranë do të vendosen duke filluar nga kjo verë. Më vonë pritet që edhe kantonet tjera të ndjekin shembullin e Kantonit Vaud.

Në një sondazh ë zhvilluar në fund të qershorit, 69.6 për qind të të pyeturve ishin shprehur kundër strehimit të përkohshëm të refugjatëve në shtëpitë e tyre. Zviceranët nuk janë të gatshëm për aksione të tilla ndërkulturore, ishte konstatimi që u nxor nga k sondazh. Sepse aksioni i Flüchtlingshilfe, shkruan nzz, ka dhe segmentin e tij ndërkulturor dhe integrues.