Shkurt.ch

BE, masa të reja për qasje ndaj refugjatëve afrikanë

Kur rojat kufitare kapin barkat në det, kanë të drejtë t`u kërkojnë të kthehen por nuk kanë të drejtë t`i detyrojnë që ta bëjnë këtë

Fluksi i madh i refugjatëve nga Afrika që ia mësyjnë brigjeve të Evropës, kryesisht Italisë, ka shtyrë autoritetet e BE-së për të kërkuar zgjidhje adekuate. Kështu, Parlamenti Evropian ka miratuar një sërë masash të cilave duhet t`u përmbahen rojat e kufirit të BE-së (Frontex) për të mbrojtur më mirë viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe personat e mitur.

Rregullat e reja kanë të bëjnë me qasjen që këto roje duhet të kenë me barkat ose anijet me refugjatë që vinë nga Afrika.
Kështu, kur ata i kapin barkat në detin e hapur, kanë të drejtë t`u kërkojnë të kthehen nga kanë ardhur, por nuk kanë të drejtë t`i detyrojnë që ta bëjnë këtë.

Po ashtu sipas rregullave të reja, personat që shpëtojnë refugjatët në rrezik jete në det, nuk kanë arsye të frikësohen nga reperkusionet juridike.

Këto rregulla vlejnë për veprimet që koordinohen nga Agjentura Evropiane e kufijve Frontex.

Me gjithë faktin se Parlamenti Evropian e ka miratuar këtë pako rregullash, atë duhet ta votojnë dhe miratojnë edhe shtetet anëtare të BE-së veç e veç.