Shkurt.ch

Drilon Paçarizi, rrezik i përhershëm për portat kundërshatare

Drilon Paçarizi, i veshur me të zeza, në dyluftim me një mbrojtës të ekipit kundërshtar

Drilon Paçarizi me lojën e tij të bukur po shkëlqen te FC Lugano, skuadër kjo që bën gara në të ashtuquajturën “Challenge Legaue” të Zvicrës. Paçarizi që nga kalimi i tij në këtë ekip po tregon formë jashtëzakonisht të mirë. Falë efikasitetit të tij në sulm dhe shënimeve të tij të njëpasnjëshme FC Lugano ka kaluar në pozitën e parë të tabelës së klasifikimit. Paçarizi, i shkathtë dhe korpulent, di t’i befasojë çdo moment portierët kundërshtarë.  

Ai shquhet për qëndrueshmëri fizike dhe për goditjet precize me kokë. Nga pozitat në dukje të parrezikshme i zë shumë herë në gjumë mbrojtjet kundërshtare dhe portierët e tyre. Këto cilësi të rralla kanë bërë që Paçarizi i ri gjatë karrierës së tij nëpër klube të ndryshme të Zvicrës të shënojë hiç më pak se 74 gola.

Lëvizjet e shpejta të Paçarizit dhe driblimet e mrekullueshme e mbajnë në këmbë gjatë nëntëdhjetë minutave publikun e zjarrtë të Luganos. Gani Hoxha, një veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Lugano të Zvicrës, thotë me plot sinqeritet se në Drilon Paçarizin sheh ish-futbollistin legjendë dhe të papërsëritshëm Fadil Vokrri. Këtë lojtar me perspektivë e veçojnë edhe sjelljet e mira në fushën e futbollit.

Ka të ngjarë që nganjëherë ndaj tij të ndërhyhet mjaft vrazhdë, por Paçarizi vazhdimisht tregohet i përmbajtur dhe asnjëherë nuk reagon kërcënueshëm ndaj kundërshtarit. Trajneri i Luganos, Livio Bordoli, i zënë në ethe për epilogun e ndonjë takimi me skuadrat pretendente për inkuadrim në elitën e futbollit zviceran, vijimisht rezultatin në favor të ekipit të tij e pret nga qendërsulmuesi Drilon Paçarizi, i cili në sekondat e fundit të lojës ka ngjarë që lojtarëve të palës kundërshtare gëzimin dhe buzëqeshjen t’ua kthejë në lot e dëshpërim. Drilon Paçarizi përveç që njihet si futbollist profesionist dhe shembull për të mirë, ai dallohet edhe si poliglot i vërtetë. Driloni i flet dhe i shkruan shkëlqyeshëm gjuhët shqipe, frënge, italiane, gjermane dhe atë angleze.   

Arif Ejupi