Shkurt.ch

Foto e vitit e “Time” Barka e migrantëve të shpëtuar

“Ajo barkë e tejmbushur, shkruan "Time" është një kompozim i jashtëzakonshëm, që në një fotogramë tregon dëshpërimin dhe rreziqet që dhjetëra mijëra persona"

E përjavshmja amerikane “Time” ka përzgjedhur një foto italiane për të ilustruar vitin 2014. Bëhet fjalë për foton që dëshmon një shpëtim të emigrantëve në Kanalin e Sicilisë, e bërë në qershor nga Massimo Sestini.

“Ajo barkë e tejmbushur – shkruan e përjavshmja amerikane – është një kompozim i jashtëzakonshëm që në një fotografi tregon dëshpërimin dhe rreziqet që dhjetëra-mijëra persona nga Lindja e Mesme dhe Afrika përjetojnë për të gjetur një jetë më të mirë në Evropë”. Një përpjekje që për mijëra prej tyre përfundon me vdekjen në det.

“Kam kaluar 12 ditë në anijen Bergamini, një nga ato të përdorura gjatë operacionit Mare Nostrum për shpëtimin e jetëve të mijëra emigrantëve mes Maltës dhe Afrikës”, tregon Sestini. “Në të vërtetë, doja të bëja një reportazh mbi këta njerëz të admirueshëm të Marinës që i kushtojnë kohën e tyre shpëtimit të këtyre emigrantëve të dëshpëruar”.

“Një ditë, gjatë patrullimit me një helikopter, mbërritëm në një nga barkat e emigrantëve. Ishin me qindra, 500, në mos më shumë, që tundnin krahët lart duke na thirrur. Mund të dallosh dëshpërimin e tyre, por njëkohësisht edhe lumturinë e tyre teksa kuptojnë se po shpëtohen. Nuk është diçka që rastis çdo ditë”.