Shkurt.ch

Kantonet: Kontrolle më të rrepta mjekësore në kufi

"Është e domosdoshme që Qeveria Federale të mos i shpërndajë nëpër kantone azilkërkuesit me sëmundje infektive", kërkojnë kantonet nga federata.

Me një letër adresuar Entit Federal për Migracion, autoritetet kantonale kanë kërkuar që të përforcohen kontrollet shëndetësore në qendrat e pritjes të azilkërkuesve në Zvicër.

Qendrat kantonale të azilit janë duke u ballafaquar kohët e fundit gjithnjë e më shumë me azilkërkues që vuajnë nga sëmundje të ndryshme si: zgjeba, tuberkulozi etj.

Në letrën drejtuar Entit Federal për Migracion janë adresuar kritika se masat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të tilla.

Kantonet kërkojnë që në qendrat e pritjes të merren të gjitha masat e nevojshme mjekësore për të zgjidhur problemet aktuale. Në letrën të cilën e ka bërë publike srf.ch, thuhet se “është e domosdoshme që Qeveria Federale të mos i shpërndajë nëpër kantone azilkërkuesit me sëmundje infektive”.

Ndërkohë janë shtuar masat në parandalimin e përhapjes së virusit Ebola. Zyra Federale për Shëndetësi konfirmoi se deri më tani janë kontrolluar shtatë persona të dyshuar me Ebola. Dy persona ishin  vendosur në karantinë. Në të dy rastet nuk është konfirmuar prania e virusit Ebola.