Shkurt.ch

Kantoni Appenzell: Të huajt, me më shumë fëmijë

Gazeta “Schweiz am Sonntag”, duke iu referuar shifrave të reja statistikore të Qeverisë raporton se numri i lindjeve në kantonin zviceran Appenzell më 2013 ishte mesatarisht 1.78 fëmijë për një grua, që është mbi mesataren zvicerane (1.42 fëmijë).

Kantonet rurale kanë shkallë më të lartë të natalitetit se të vendësve, ashtu edhe të huajve. Në Jura të huajt sjellin mesatarisht 2.32 fëmijë në jetë, në Nidwalden 2.39.

Emigrantët në mjediset rurale kanë më shumë fëmijë se ata në zonat urbane, citohet të ketë thënë sociologu François Höpflinger nga Universiteti i Cyrihut. Kostoja e banimit në kantonet rurale është më e ulët.

Ndërsa norma e lindjeve të grave zvicerane ka mbetur e qëndrueshme nga 2011 deri më 2013. Po ashtu thuhet të ketë mbetur e njëjtë edhe me nënat e vendeve të BE-së. Ndërsa për të huajt joevropianë flitet për një mesatare prej 2.25 fëmijëve për një nënë në vitin 2013, më shumë se viteve paraprake, kur norma e lindjeve ishte 2.13.

Kjo mund të jetë kështu për shkak të vendeve të reja të emigracionit nga bota arabe dhe Afrika e Veriut, thotë sociologu Höpflinger.

Dallimet në moshë ndërmjet zviceraneve dhe të grave të huaja shkojnë shumë larg. Në pothuajse 50 për qind të rasteve nënat joevropiane ishin më të reja se 30, ndërsa qytetaret zvicerane në 71 për qind të rasteve kalonin moshën 30-vjeçare.