Shkurt.ch

Kapet shqiptari, po kontrabandonte 6 palestinezë

Ata kanë deklaruar se përmes një ndërmjetësuesi, për rrugën nga Milano kanë paguar nga 500 euro për person

Policia Federale e Gjermanisë ka arrestuar të shtunën një shtetas shqiptar nën dyshimin se po trafikonte me makinën e tij në Gjermani gjashtë  palestinezë.

Zyrtarët gjermanë kanë ndaluar një kombi-bus me regjistrim italian në autostradën në afërsi të qytetit Lindau. Shoferi shqiptar ka treguar pasaportën shqiptare ndërsa nuk ka pasur kurrfarë leje qëndrimi në Gjermani. Në ulësen pranë tij ishte një grua me fëmijën një vjeç në prehër. Ndërsa në ulëset e prapme ishin vendosur tre persona të moshuar. Pasi që nuk kishte vend tjetër për t`u ulur, personi i gjashtë ishte vendosur në bagazhin e makinës.

Asnjëri nga udhëtarët nuk posedonte dokumente që mundësojnë hyrjen në Gjermani. Siç u mor vesh ndërkohë, bëhej fjalë për gjashtë palestinezë të trafikuar. Ata kanë deklaruar se përmes një ndërmjetësuesi, për rrugën nga Milano kanë paguar nga 500 euro për person ndërsa destinacioni i tyre i fundit kishte qenë qyteti Wuppertal.

Ngasësi i makinës duhet të përgjigjet penalisht për udhëtim të palejueshëm në Gjermani dhe për trafikim të të huajve. Policia e ka dorëzuar shqiptarin te gjykata kompetente.

Ndërsa palestinezët e trafikuar kanë kërkuar azil dhe janë dorëzuar në Qendrën për refugjatë  në Munih.