Shkurt.ch

Konfirmon prokuroria: Tre irakianë në burg për terrorizëm

Njëkohësisht ajo ka pohuar se aktualisht janë duke u zhvilluar rreth njëzet procedura që kanë të bëjnë me xhihadizmin radikal

Prokuroria Federale e Zvicrës ka konfirmuar sot lajmet e publikuara javë më parë në medie për mbajtjen në arrest të tre irakianëve të dyshuar për terrorizëm. Të përmendurit janë arrestuar nga fundi i marsit të këtij viti.

Prokuroria, ndryshe nga mediet nuk përmend në shkresën e saj planet eventuale të tre të përmendurve për sulme terroriste në Zvicër. Por, ata dyshohen për mbështetjen e dhënë organizatës kriminale IS dhe për planifikimin e një ulmi terrorist diku në Evropë.

Deri sot Prokuroria Federale nuk e kishte bërë konfirmimin për arrestin e tre të dyshuarve, për të mbrojtur zhvillimin e hetimeve. Njëkohësisht ajo ka pohuar se aktualisht janë duke u zhvilluar rreth njëzet procedura që kanë të bëjnë me xhihadizmin radikal, pesë prej të cilave lidhen me Sirinë.

Njëri nga te arrestuarit është një irakian nga Shaffhauseni i cili ka lëvizur me karrocë invalidësh, shkruan srf.ch. Ai ka frekuentuar Qendrën Islamike Teeba në Rheinfall të Schaffhausenit. Imami i kësaj xhamie ka thënë, pa pranuar të filmohej, se personi në fjalë nuk ka rënë  në sy me sjellje dhe as me pamje të veçanta. Askush, sipas tij, nuk ka mundur të imagjinonte se ai kishte të bënte diçka me terrorizëm.