Shkurt.ch

Në Zvicër qarkullojnë të lirë 18 xhihadistë

Edhe përkundër ndalesës me ligj, në vend lëvizin lirshëm 18 xhihadistë, të kthyer nga vendet e përfshira në luftë ku kanë marrë pjesë në konflikt

Ditë më parë edhe zyrtarisht Zvicra ka shpallur të ndaluara me ligj të gjitha aktivitetet që kanë çfarëdo lidhje me IS-in (lëvizjen terroriste për Shtetin Islamik). Por, edhe përkundër kësaj ndalese, në vend lëvizin lirshëm 18 xhihadistë, për të cilët dihet se janë kthyer nga Siria ku kanë marrë pjesë në konfliktet e atjeshme.

Siç shkruan gazeta “Schweiz am Sonntag”, në vendet tjera ku po ashtu ka një ndalesë të tillë, xhihadistët e kttyer nga zona e luftës nuk lihen të lirë, gjegjësisht izolohen menjëherë.

Shërbimi Informativ i Zvicrës ka  deklaruar këtë javë se ka regjistruar 18 veta që kanë udhëtuar të motivuar për pjesëmarrje në xhihad në vendet ku po luftohet. Por është vërtetuar vetëm një rast. Bëhet fjalë për një person nga kantoni Valis, ndaj të cilit është duke rrjedhur procedura penale e zhvilluar nga Prokuroria Federale. Por as ky nuk është i burgosur. Të 17 të tjerët janë xhihadistë të “pakonfirmuar”, pasi që nuk po zhvillohet procedurë penale kundër tyre, gjegjësisht autoritetet zvicerane nuk kanë arritur të ofrojnë argumente të sigurta për veprimtarinë e tyre.