Shkurt.ch

Për një sigurim publik të mjekimit të dhëmbëve

Ajo që duan ta arrijnë bartësit e iniciativës në kantonin Vaud është krijimi i sigurimit publik që do të mbulonte shpenzimet bazë të stomatologjisë

Kostoja e mjekimit të dhëmbëve në Zvicër është shumë e lartë dhe 90 për qind të saj duhet ta bartin vetë pacientët. Ka kohë që debatohet për mundësinë e një sigurimi shëndetësor të veçantë për dhëmbët por deri më tash nuk është arritur shumë në këtë drejtim.

Ndërkaq, në kantonin Vaud është ngritur një iniciativë për fond shëndetësor për mjekimin e dhëmbëve dhe kjo ka nxitur debatin edhe në kantonet tjera.

Ajo që duan ta arrijnë bartësit e iniciativës në kantonin Vaud është krijimi i sigurimit publik që do të mbulonte shpenzimet bazë të stomatologjisë. Ajo do të financohej përmes një kontributi të ndarë nga të ardhurat, gjysma nga i punësuari dhe gjysma nga punëdhënësi.

Siç thotë kryetarja e organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve për srf.ch Erika Ziltener, njerëzit në Zvicër “shumë shpesh” bien në telashe financiare nga shkaku  i çmimeve të larta të trajtimit të dhëmbëve. Kjo e bën të arsyeshëm ekzistimin e një sigurimi shëndetësor të veçantë dhe publik të dhëmbëve, thotë Ziltener e cila është edhe deputete e SP/PS të Kantonit të Cyrihut. Ajo dëshiron që kjo ide të shqyyrtohet edhe në Cyrih. Debate të ngjashme duke pasur për bazë modelin e Vaudit,  janë zhvilluar edhe në kantonin e Gjenevës dhe në atë të Neuchatelit.

Por, aspak mirëkuptim për iniciativa të tilla nuk tregon federata e fondeve të sigurimeve shëndetësore, Santesuisse. Sipas zëdhënësit të saj, Christoph Kempf kjo çështje duhet t`i lihet nerëzve në përgjegjësi personale. “Kur çdo gjë paguhet (nga sigurimi) njerëzit do të kenë më pak motiv  të kujdesen për dhëmbët dhe do të shkonin më shpesh te mjeku i dhëmbëve pasi që sigurimi do t`ua paguante”.

Me 90 për qind të kostos të mbuluar nga vetë pacientët, shërbimet dentale në Zvicër sot kushtojnë mbi 3.5 miliardë franga në vit.