Shkurt.ch

Përfundon misioni i shpëtimit të refugjatëve në det

Më shumë se një vit kanë patrulluar anijet e marinës italiane dhe gardës kufitare në Mesdhe. Gjatë kësaj kohe rreth 120 mijë refugjatë u shpëtuan, qindra kontrabandues u arrestuan

Qeveria e Italisë ka njoftuar për fundin e misionit “Mare nostrum”, i cili ka zgjatur për më shumë se një vit programi i ndihmës dhe i shpëtimit të refugjatëve në Mesdhe. Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano, njoftoi se vendi i tij do të vazhdojë misionin e ri të BE-së “Triton”. Misioni do të fillojë zyrtarisht të shtunën nën monitorimin e agjencisë së BE-së Frontex.

“Ne, për fat të keq, nuk kemi mundur t’i shpëtojmë të gjithë migrantët“, tha ministri italian, Alfano.

Sipas organizatave të refugjatëve, vitin e kaluar rreth 3000 refugjatë kanë humbur jetën në detin Mesdhe.  Organizatat e refugjatëve janë shprehur të zhgënjyera. Ata kishin bërë thirrje në Itali që të vazhdojë përkohësisht misioni “Mare nostrum”.

Si anëtar i Shengenit, edhe Zvicra do të jetë pjesë e misionit evropian “Triton”. Autoritetet në Zvicër do të dërgojnë roja kufitare në Itali.

Italia për çdo muaj ka shpenzuar 9 milionë € për misionin “Mare nostrum”. BE-ja parashikon për misionin “Triton” vetëm tre milionë euro.

BE-ja vetë ka pranuar se “Triton” nuk do të zëvendësojë misionin e italianëve.