Shkurt.ch

Shaqiri: Jam në pushime, leni spekulimet për transferin!

“Siç e dini të gjithë, unë aktualisht jam në pushime, nuk merrem me klubet tjera dhe as që flas me ndonjë gazetar" ka shkruar Shaqiri në facebook

Të mërkurën, në mediet italiane është publikuar një intervistë e rreme me Shaqirin. Në të “citohet” Shaqiri të ketë thënë se “Nuk e di, nëse Bajerni ka kontaktuar me Jventusin ose me Liverpulin. Natyrisht, Juve është një opsion i mirë, njësoj sikur Liverpuli ose Munihu. Nuk do të ishte hap mbrapa (kalimi në klubet në fjalë)”.

Por, këto deklarime duken të jenë të imagjinuara. Këtë e thotë vetë Shaqiri në faqen e tij të facebook-ut: “Siç e dini të gjithë, unë aktualisht jam në pushime dhe rrjedhimisht, nuk merrem as me klubet tjera dhe as që flas me ndonjë gazetar”.

Sidomos pas paraqitjeve të shkëlqyera në Botërorin 2014 në Brazil, Shaqiri është bërë temë e përditshme e spekulimeve mbi kalimin e mundshëm të tij në disa klube të mëdha të futbollit evropian. Nga ana tjetër, klubi i tij, FC Bayern disa herë ka deklaruar se është i interesuar për shërbimet e talentit shqiptar dhe se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga ai.