Shkurt.ch

Vetëvaret italiani që vrau dy emigrantët nga Kosova

Xhanluka Çiferri, biznesmen nga Fermo i Italisë, raportohet të jetë vetëvrarë në qeli të burgut.

Lajmin për vetëvarjen e biznesmenit e ka publikuar avokati i tij. Ai ishte vetëvarur në qelinë e tij në burgun e Askoli Piçenos. Çiferri është lidhur me një litar në hekurat e dritares së banjës para aktit vetëvrasës.

Sipas policisë, mësohet se ka lënë edhe një letër. Xhanluka Çiferri ishte akuzuar për vrasje të dyfishtë ndaj Nexhmedin Mustafës, 38 vjeç dhe Valdet Avdylit, 26 vjeç, punëtorë të migruar nga Kosova.

Gjatë marrjes në pyetje, Çiferri kishte dhënë versionin e tij për ngjarjen: “U mbrojta nga një agresion. Dy punëtorët ishin të armatosur me një sëpatë, pata frikë dhe qëllova me armë”.

Punëtorët kosovarë kërkonin 20 mijë euro rroga të prapambetura që ia kishin kërkuar disa herë punëmarrësit të tyre edhe përmes një paralajmërimi të shoqatës së sindikatave.

Nexhmedini kishte katër fëmijë, ndërsa Valdeti kishte një djalë dhe ishte në pritje të një tjetri. “Nuk dinte me çfarë t’i ushqente fëmijët e tij”, tregonte vëllai i Nexhmedinit.