Shkurt.ch

Vikend rekord në Aeroportin e Cyrihut

Të shtunën dhe të dielën janë regjistruar nga 92.000 pasagjerë që kanë fluturuar përmes këtij aeroporti, në 1500 fluturime

Fundjava e kaluar ka qenë rekorde per Aeroportin e Cyrihut. Si të shtunën ashtu dhe të dielën janë regjistruar nga 92.000 pasagjerë ose gjithsej 184 mijë sish që kanë fluturuar përmes këtij aeroporti, në 1500 fluturime.

Në historinë 66 vjeçare të ekzistimit të aeroportit nuk ka ndodhur asnjëherë që për një ditë të fluturojnë dhe të aterrojnë kaq shumë pasagjerë. Aq më pak ka ndodhur që për dy ditë me radhë të ketë kaq shumë udhëtarë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga aeroporti në fjalë. Me 184 mijë udhëtarë në dy ditë është thyer rekordi i mëparshëm me dy ditë nga 89.000 udhëtarë, gjegjësisht 178.000 gjithsej.

Me gjithë fluksin e madh, puna në aeroport ka rrjedhur pa probleme.

Përmes aeroportit të Cyrihut mesatarisht fluturojnë 68.000 pasagjerë në ditë në 625 fluturime, gjegjësisht aterrime dhe nisje.