Shkurt.ch

Zjarr në qendrën e azilit, humb jetën një azilkërkues

Lëndime kanë pësuar 43 persona nga gjithsej 189 azilkërkues sa janë të strehuar në këtë qendër. Dy prej tyre janë ende në rrezik jete

Si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një qendër për strehimin e azilkërkuesve në Vernier (Gjenevë) ka humbur jetën një azilkërkues nga Eritrea. Po ashtu lëndime të shkallëve të ndryshme kanë pësuar 43 persona nga gjithsej 189 azilkërkues sa janë të strehuar në këtë qendër. Dy prej tyre janë ende në rrezik jete.

Pasi që në orën 00.31 në njërën nga dhomat në katin përdhes kishte shpërthyer një zjarr, shtëllunga tymi të zi kanë kapluar shumë shpejtë disa kate të ndërtesës.

Deri më tash nuk ka mundur të sqarohet se cili ka qenë shkaktari i shpërthimit të zjarrit, ka thënë për medie një zëdhënës i autoriteteve të drejtësisë në Gjenevë. Ndërkohë është iniciuar procedura penale për rastin.