Shkurt.ch

Zvicra, 100 mijë banorë më shumë brenda një viti

Më i madh se shtimi i numrit të përgjithshëm të banorëve është shtimi i shtetasve të huaj. Ai brenda një viti është për 3.6% më i madh

Sipas raportit më të ri që ka publikuar Zyra Federale për Statistikë, Zvicra brenda një viti është rritur për 100.571 banorë të rinj. Fjala është për fundin e vitit 2013, kur në Zvicër jetonin 8 milionë e 139.631 banorë ose 1.25% më shumë se në fund të vitit 2012 .

Raporti në fjalë konstaton se të gjithë kantonet, pa përjashtime kanë shënuar rritje të popullsisë. Por, shtimin më të madh e kanë kantonet si Freiburgu (2.1%), Vaudi (2%), Thurgau (1.6%) etj. Por, më i madh se shtimi i numrit të përgjithshëm të banorëve është shtimi i shtetasve të huaj. Ai brenda një viti është shtuar për 3.6%. Kështu, numri i personave që nuk kanë pasaportë zvicerane në fund të vitit 2013 ka qenë 1 milion e 937.447, ose 67.478 më shumë se në fund të vitit 2012. Afërsisht dy të tretat e të huajve në Zvicër vijnë nga shtetet e BE-së dhe EFTA-s. Komunitetet më të mëdha të të huajve janë komuniteti italian me 298.875 banorë, ai gjerman (292.291) dhe portugezët (253.227).

Përqindja e të huajve ka qenë mbi 23%.

Ndërkohë, numri i të huajve të natyralizuar ka shënuar rënie në krahasim me vitet e fundit. Kështu, në vitin 2010 ishin 39.314 të huaj që patën marrë pasaporta zvicerane ndërsa në vitin 2013, 34.061.