Shkurt.ch

Zvicra, 1000 tenda dimri për refugjatët e Sirisë

Shteti helvetik deri më tash ka ndihmuar me 115 milionë franga viktimat e krizës në Siri dhe në Irak dhe është i gatshëm të vazhdojë me ndihma

Zvicra, në kuadrin e detyrimeve që ka marrë për të ndihmuar refugjatët në zonat e krizës rreth Sirisë është zotuar të dërgojë 1000 tenda dimri në Irakun Verior. Po ashtu ajo gjatë nëntorit do të dërgojë atje edhe batanije dhe agregate për ngrohje, ka siguruar presidenti i federatës dhe ministri i jashtëm Didier Burkhalter gjatë Konferencës për Refugjatë të martën në Berlin.

Në fjalën e tij Burkhalter ka falënderuar vendet fqinje të Sirisë, Libanin, Turqinë, Jordaninë, Irakun dhe Egjiptin, të cilat kanë strehuar rreth tre milionë refugjatë lufte.

Sipas njeriut të parë të Zvicrës, shteti helvetik deri më tash ka ndihmuar me 115 milionë franga viktimat e krizës në Siri dhe në Irak, ndërkohë që është i gatshëm të vazhdojë me ndihma.