Shkurt.ch

Zvicra mund t`i kthejë në Itali familjet refugjate

Italia do të japë garanci për secilin rast të veçantë të kthimit se familjet në fjalë nuk do të shpërndahen por do të lihen të banojnë së bashku

Zvicra sërish ka të drejtë t`i kthejë në Itali familjet e refugjatëve te cilat Italinë e kanë pasur vendin në të cilin janë paraqitur për azil për herë të parë. Kjo do të bëhet e mundur falë një marrëveshjeje që Zvicra ka lidhur me Italinë, ka bërë të ditur drejtori i Zyrës Federale për Migracion (BFM) Mario Gattiker. Këtë njoftim ai e ka bërë publik në magazinën e lajmeve “10vor10” të televizionit publik të Zvicrës.

Sipas marrëveshjes në fjalë, Italia do të japë garanci për secilin rast të veçantë të kthimit se familjet në fjalë nuk do të shpërndahen por do të lihen të banojnë së bashku. Po ashtu do të sigurohen zgjidhje adekuate edhe për fëmijët në kuadrin e këtyre familjeve.  

Problemi me kthimin ose moskthimin e familjeve refugjate nga Zvicra në Itali ka lindur në momentin kur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strassburg, në fillim të nëntorit pati vendosur që Zvicra nuk ka të drejtë të dëbojë në Itali një familje refugjatësh afganë. Kjo ndalesë mbështetej në faktin se Italia nuk ofronte garanci për strehimin adekuat dhe mbajtjen së bashku të familjes në fjalë. Familja afgane fillimisht ishte paraqitur si refugjate në Itali, prej nga kishte kaluar në Zvicër, rrugë kjo që e bëjnë me mijëra refugjatë.