E mërkurë, 23 Prill, 2014 - 13:04
Subscribe to Syndicate
download
Opinion

Shqiptarët në Perëndim: Të Vyeshëm dhe Gangsterë 1/2

17.04.2013 - 08:41

Stereotipet e shqiptarëve për Gjermaninë nuk ndryshuan, por ndryshoi imazhi i azilantëve të hershëm dhe të më vonshëm shqiptarë. Si dhe, përse nuk integrohen shqiptarët atje dhe “ndërkombëtarët” këtu?

Axha im, Ilmi Neziraj, i takon brezit të parë të emigrantëve shqiptarë në Gjermani, brezit të fillimit të viteve të 70-ta. Tani vjen shumë më shpesh, por dikur, si gjithë të tjerët, edhe ai vinte kryesisht dy herë në vit - verës dhe dimrit, për vit të ri. Çuditërisht, tani, kur i kujtoj ardhjet e tij, disi i mbaj mend vetëm ardhjet e tij të dimrit. Dimra të fortë me borë të madhe - oh, e ndoshta ngaqë kam qenë fëmijë, bora e asaj kohe gjithmonë më duket që ka qenë e madhe. Nëse do t’i mbyllja sytë për pak sekonda, copëzat e imazheve të fëmijërisë në lidhje me axhën do të ishin: borë, një Ford Taunus, bukë e zezë me erë çamçakëzi, banane, ski, rrobe, flokë të thinjura, bombona djegës me mbështjellës letre ngjyrë të gjelbër, lot, çanta të mëdha që hapen, mysafirë që vijnë, televizorë me ngjyra, fotografi, çokolata, mysafirë që shkojnë, kështu me radhë…

Dikur, por shpesh edhe tani, periudha e verës dhe dimrit, kur edhe ktheheshin shumica e mërgimtarëve, ishte koha kur bëheshin ceremonitë kryesore familjare. Kështu ndodhte edhe në familjen tonë të ngushtë. Dasmat dhe ritet tjera martesore rregulloheshin të ndodhnin në këto dy periudha viti. Prezenca e “gjermanëve”, siç i quanim ne emigrantët, e bënte më dinjitoze secilën festë. A ka ardhur ai “gjermani” ose, nëse pyetej për më tepër të ardhurish, “a kanë ardhur ata gjermanët”? Kjo ishte pyetja që shtrohej më së shpeshti gjatë verës dhe dimrit, në fundvit.

Madhështia e çdo ceremonie familjare gati-gati matej me numrin e madh të mërgimtarëve. Festat ishin të zymta nëse në to mungonin ata. Arsyetimet për mungesat e mundshme të tyre ishin gati të njëjta: “nuk i ka dhënë leje shefi i tij”, “e ka një shef të keq”...!

Për morte ndërsa, mërgimtarët pritej që vinin çdo herë kur ato ndodhnin. Kufoma shpesh mbetej të priste edhe dy apo tri ditë, derisa të mbërrinte i afërmi që jetonte jashtë Kosove. Ata zakonisht vinin shkurt, për ditë të varrimit dhe ndonjë ditë për ceremoni mbas varrimit. Pikëllimi i mortit shtohej kur ata hynin në oborr të shtëpisë dhe edhe më shumë shtohej ai pikëllim kur ata ktheheshin sërish në mërgim. Kur ndonjëherë ndodhte që ndokush nuk mund të vinte në ndonjë mort, atëherë kjo ishte diçka tmerrësisht pikëlluese. Arsyetimet prapë mund të ishin: “nuk i ka dhënë leje shefi”. Në këto raste, stereotipet e këqija për “gjermanët” merrnin hov “atyre nuk ua ndinë për nënë, për baba, për vëlla apo motër”, “ata i lënë nënat e tyre të vdesin dhe nuk shkojnë të kujdesen për ta”, “fëmijët gjermanë, sapo t’i mbushin 18 vjet detyrohen të largohen nga shtëpia”, “gjermanët nuk qajnë kur u vdes ndokush”, “ata më shumë i duan qentë e macet sesa fëmijët e tyre”, “ata nuk ia lënë pasurinë të afërmeve të tyre, por shtetit”, “gjermani nuk e lë punën për varrim të nënës së tij”…

Por, perspektiva e perceptimit të Gjermanisë dhe gjermanëve natyrisht nuk ishte kaq e zymtë. Përkundrazi, stereotipet negative për gjermanët balancoheshin mrekullisht me të perceptuarit tjetër; të atyre anëve të mira dhe të çmueshme që kanë gjermanët dhe Gjermania. Nënvleftësimi për veten tonë si “njerëz dembel që nuk na pëlqen të punojmë” vihej përballë imazhit për gjermanët, si njerëz që me punë kanë arritur të ndërtojnë një shtet kaq të funksional dhe të fuqishëm.

Emigrantët kur vinin për pushime në Kosovë trajtoheshin me respekt. Shtëpia mbushej me njerëz, fqinj dhe të tjerë të afërm që vinin t’i vizitonin. Vizitat ndodhnin kur vinte mërgimtari, por edhe kur atij i afroheshin ditët për t’u kthyer. Sidomos në kthim, vizitat ishin më të shpeshta: përshëndeteshin me të, thua që kjo do të ishte hera e fundit që do të shiheshin. Sepse, jetës kurrë nuk i dihet! Sidomos jo jetës së një mërgimtari të cilit i duhet të bëj punë me rreziqe. Njerëzit në Kosovë gjithmonë e kanë çmuar kontributin dhe sakrificën e mërgimtarëve. Po, sakrificën, sepse jeta e tyre atje, larg familjes dhe puna e jashtëzakonshme, janë parë vazhdimisht si sakrificë e tyre, për familjen dhe për vendin e tyre.

Kur vinin mërgimtarët viheshin themelet e shtëpive të reja dhe vetëm kur ata ishin këtu hyhej në shtëpi të sapondërtuara. Ata ishin kontribuesit kryesorë financiarë të familjes. Të ardhurat e tyre ishin vendimtare për ato familje që dëshironin të ndërtonin shtëpi të re. Të ndërtosh shtëpi të re, për një mërgimtar, ishte më tepër sesa zgjidhje e një problem praktik jetësor. Ishte edhe çështje krenarie dhe statusi brenda shoqërisë kosovare. Ata ndërtonin shtëpi të mëdha dhe të bukura. Përballë shtëpive njëkatëshe, të papërfunduara, nxirrte krye një shtëpi trekatëshe e bukur e një familjeje që kishte dikë në Gjermani ise edhe në Zvicër a gjetiu. 

Familja në Kosovë ka qenë e organizuar dhe homogjene. Një strukturë e cila ka funksionuar sipas disa rregullave dhe kodeve të cilat janë bartur gjeneratë mbas gjenerate. Së paku, kështu ka qenë deri vonë. Njerëzit i kanë takuar familjes dhe shkëputja nga familja ka qenë traumatike. Emigrantët, duke i lënë familjet e tyre të ngushta të jetojnë me pjesën tjetër të familjes (me prindër dhe vëllezër), kanë konsideruar (dhe kështu edhe janë trajtuar nga familja) se janë duke mbetur pjesë e familjes. Pra, ata vetëm fizikisht kanë qenë të shkëputur nga familja e madhe. Tani, ky lloj mekanizmi ka pasur edhe të mirat e edhe të këqija e veta. Traumat e të dyja palëve; e burrit emigrant dhe e familjes së ngushtë të mbetur në Kosovë kanë qenë padyshim të mëdha. Por, në anën tjetër, fëmijët e burrit emigrant, në të shumtën e rasteve, janë rritur dhe edukuar nga prindërit dhe vëllezërit në Kosovë me dashuri dhe respekt.

Në Gjermani, por edhe në vende të tjera me numër të madh emigrantësh, kurrë nuk shuhet debati për “të huajt kokëfortë që nuk duan të integrohen” në shoqërinë vendëse. Shqiptarët e Kosovës, me pak përjashtime, hyjnë në kategorinë e “kokëfortëve”. Para së gjithash, për shkak të asaj lidhjes së fuqishme që kanë me kulturën dhe traditën në Kosovë dhe e cila shfaqet si barrierë kryesore për integrim, por edhe për shkak të perceptimit paragjykues që ata krijojnë për kulturën dhe traditat e shoqërisë ku kanë emigruar. Gati-gati, e njëjta gjë ndodhë edhe me ndërkombëtarët e shumtë që kanë ardhur tani mbas përfundimit të luftës në Kosovë. Në Prishtinë, ndërkombëtarët, kanë baret e veta ku pinë, kanë restorantet e veta ku ushqehen, shoqërohen pak ose fare pak me vendasit, dhe, guxoj të them, shfaqin një mal paragjykimesh për kulturën vendore, si diçka e “papërsosur”. Ndërkombëtarët në Kosovë (ata nuk quhen emigrantë, por për ta përdorët një term më të sofistikuar - “ndërkombëtarë”, madje edhe për ata që kanë bërë një mal vitesh jetë në Kosovë) kanë krijuar getot e tyre, ndihen më të sigurt, ndihen më rehat, ndihen më në “shtëpi”. Këto geto (bare, restorante a çkadoqofshin) janë si shtëpi të tyre të vogla. Besoj që edhe emigrantët shqiptarë në perëndim shfaqin të njëjtat prirje për kulturën vendase, e cila, në krahasim me të tyren, u duket e “papërsosur”. Prandaj, ata e duan një Kosovë të vogël në Gjermani, ose gjetiu, ku jetojnë.

Por imazhi i shqiptarëve në Gjermani është tronditur për të keq gjatë viteve të 90-ta, atëherë kur në Gjermani vijnë vala e re e madhe e azilkërkuesve nga Kosova, por edhe nga Shqipëria. Nga një gjeneratë emigrantësh punëtorë e të urtë, Gjermania u ballafaqua me një gjeneratë të re azilkërkuesish, të të gjitha profileve, që po i iknin shtypjes serbe dhe varfërisë ekstreme. Kjo gjeneratë natyrisht nuk erdhi e organizuar dhe mundësitë për punë për shumicën prej tyre ishin minimale. Në këto rrethana, ku shumica ishin të papunë, nëpër të ashtuquajturat “hajme” kolektive dhe pa ndonjë trajtim social adekuat, bota e krimit dhe gangsterizmit për disa ka qenë si një alternativë ideale.

Dhe nëse deri atëherë, historitë e këqija për kosovarët në Gjermani kishin qenë gati inekzistente, tani, në këtë kohë thyerjesh dhe traumash të mëdha në Kosovë, ato nisën të bëheshin të zakonshme. Emigrantët e hershëm ankoheshin: ishim mirë, por erdhën këta të rinjtë dhe na e nxinë fytyrën. Por ngadalë këto histori nisën të bëheshin disi të zakonshme. Askush nuk dëshironte t’i lidhte veprimet e ndokujt në Europë, me moralin dhe ndershmërinë e familjes së tij në Kosovë. Ai ose ajo shihej si një degë e tharë e vogël e një peme të madhe të shëndoshë. Sepse edhe në atë kohë të tmerrshme të krizës politike e sociale, në atë varfëri kaq të skajshme që kishte kapluar Kosovën gjatë të 90-tave, shqiptarët në Kosovë kishin ruajtur disa prej vlerave morale e sociale për të cilat ata kishin qenë krenarë me shekuj.

(Autori është dramaturg nga Kosova, opinioni i tij është publikuar në Jeta në Kosovë, pjesa e dytë vijon nesër)

Reklamë

Reklamë

Operacioni i emërtuar “Mekaniku” (origjinal, në gjuhën shqipe!) ka zbuluar grupin kosovar të cilit i ngarkohet tregtia me drogë me vlerë prej 900 mijë eurosh
Studentët që shërbejnë si "minj eksperimentesh" Tepër joshës është fitimi nga testimet, që këta studentë të lodhin kokën për pasojat e mundshme shëndetësore të këtyre eksperimenteve
Interviste
Ardian Bujupi: Muzika, hobi dhe profesioni im "Kam fansa kudo në botë që përcjellin karrierën time. Unë ua jap mundësinë me më përcjell çdo hap timin. Tekstet e këngëve të mia i kupton si ai në Amerikë, Kosovë, Gjermani apo kudo që gjendet"

Reklamë

Moti

Bernë

Scattered clouds
  • 17 °C
Reported on:
Mër, 23/04/2014 - 12:20

Prishtinë

Broken clouds
  • 17 °C
Reported on:
Mër, 23/04/2014 - 12:30

Cyrih

Few clouds
  • 17 °C
Reported on:
Mër, 23/04/2014 - 12:20

Shkup

Broken clouds
  • 20 °C
Reported on:
Mër, 23/04/2014 - 12:30

Newsletter

Reklamë

Kursi i valutave

Amount to convert

Reklamë

Facebook

Copyright © 2010 albinfo.ch. All Rights Reserved.

Përdorimi i shkrimeve, fotografive si dhe materialeve të kësaj platforme mund të bëhet vetëm duke e përmendur burimin albinfo.ch. Cdo shfrytëzim dhe riprodhim i tyre pa lejen e albinfo.ch është i ndaluar dhe përbën shkelje e të drejtave autoriale .
Redaksia e mban të drejtën për mosbotimin dhe moskthminin e dorëshkrimeve, fotografive apo materialeve të tjera të dërguara.

Rreth nesh

Karta


Bashkëpunimi
Shkabaj