E-Diaspora

“Kur të rritem dua të bëhem si Shaqiri”

Që nga dalja në skenën e futbollit të Shaqirit me shokë, te fëmijët shqiptarë ka një interesim më të madh që të merren me futboll. Për të parë nga afër këtë interesim, albinfo.ch ka vizituar skuadrën e juniorëve të FC Kosovës

Futbolli kohët e fundit për shqiptarët në përgjithësi, po zë një vend shumë të rëndësishëm. Asnjëherë më parë, shqiptarët nuk kanë pasur më shumë interes për sportin më të popullarizuar në planet. Mirëpo, cila ishte ajo shkëndija e parë e cila bëri që shqiptarët e futbollit filluan të jenë më në qendër të vëmendjes?

Ka qenë Cana, Shaqiri, Januzaj, Xhaka, Behrami, Xhemajli apo cili?

Sigurisht se spektakli i yjeve të futbollit te shqiptarët nuk fillon vetëm nga koha e këtyre lojtarëve, por shumë më herët. Mirëpo është shumë e vërtetë që futbolli shqiptar me shumë emra të njohur ndërkombëtarë, ka marrë një hov të jashtëzakonshëm këto vitet e fundit, e sidomos kur dolën në skenë Xherdani me shokët e tij në kombëtaren zvicerane.

Që nga kjo kohë vërejmë që edhe fëmijët shqiptarë kanë një interesim më të madh që të merren me futboll, dhe një ditë të bëhen, pse jo, edhe yje të futbollit ndërkombëtar.

Në lidhje me këtë temë, albinfo.ch ka vizituar skuadrën e juniorëve të FC Kosovës për të parë nga afër futbollistët e vegjël 10 deri 11 vjeçarë.  “Unë dua të jem si Shaqiri, më pëlqen se si luan ai. Kam dëshirë që njëherë ta takoj atë edhe të bisedojmë për futbollin” thotë Skender Selimi.

Është normale që fëmijët shqiptarë të marrin si idhuj futbollistët shqiptarë

Ndërsa shoku i Skenderit, Labinoti thotë: “Edhe unë luaj futboll, sepse është sport shumë i mirë. Futboll luajnë edhe Xhaka, Shaqiri e Behrami dhe kur të rritem dua që edhe unë të bëhem si ata. I përshëndes Shaqirin edhe Xhakën dhe kisha pasur dëshirë njëherë me i pa “live” dhe të rri me ta” përfundon futbollisti i vogël 11 vjeçar, Labinot Dzelili. 

Ndikimin e yjeve të futbollit tek fëmijët, e vëren edhe zvicerani Roger Küng, që është përgjegjës për të gjitha skuadrat e juniorëve në FC Kosova. Ai thotë se kjo është krejt normale sepse çdo fëmijë që luan futboll ka një ëndërr që të bëhet si dikush, dhe këta fëmijë i kanë yjet e vet të kombëtares së tyre siç janë Shaqiri, Behrami, e Xhaka.

“Mendoj që po, është një motivim i madh për fëmijët që edhe këta dikur të bëhen lojtarë të mëdhenj dhe të luajnë në ndonjë ekip të madh. Pasi që i takojnë nacionalitetit të njëjtë me yjet si Xherdani e Behrami, sigurisht që edhe motivacioni është  më i madh. Vullneti për tu bërë futbollist te fëmijët shtohet edhe në kohën kur zhvillohen kampionatet botërore apo evropiane dhe atëherë kemi një interesim edhe më të madh” thotë përgjegjësi për juniorët në FC Kosova, Roger Küng.

Të tjerët me Messin ose Ronaldon, shqiptarët me Shaqirin ose Xhakën!

Sporti më i popullarizuar, futbolli, ka zgjuar një interesim të jashtzakonshëm tek shqiptarët. Çdo lojtar shqiptar apo me origjinë shqiptare që është i suksesshëm në arenën ndërkombëtare po i merr me vete një grumbull zemrash të fëmijëve dhe kjo po bën që ky sport të arrijë cilësi të lartë te shqiptarët. Kjo cilësi sigurisht që në një të ardhme do të rezultojë me edhe më shumë yje futbolli. 

“Po është fakt, që këto vitet e fundit është rritur shumë më shumë interesimi i prindërve shqiptarë që t’i orientojnë fëmijët e tyre në futboll. Por në krahasim me komunitetet tjera ne megjithatë ende pak bëjmë për fëmijët tanë. E vërej këtë sepse ka shumë talent të mëdhenj, por mbështetja e tyre duhet të fillojë qysh në moshën e vogël. Yjet shqiptarë të futbollit që janë të njohur, janë një shembull shumë i qëlluar për fëmijët sepse ne i ushtrojmë këtu fëmijët për të luajtur futboll, dhe e shohim që fëmijët e tjerë kanë më shumë fanella të futbollit të Ronaldos apo Messit. Kurse fëmijët shqiptarë i kanë ato  të Shaqirit, Xhakës apo Behramit. Këta janë yje dhe motivim të mëdhenj për fëmijët” shprehet trajneri Valon Latifi, por ai tregoi edhe diçka mbresëlënëse.

“Unë i kam parë listat e Lidhjes Futbollistike Zvicerane, ku shihet se në mesin e atyre që luajnë për shtetin e Zvicrës në kategoritë  prej moshës 15  deri në moshën 21 vjeçare, janë gjithsej 47 shqiptarë. Në çdo kategori janë nga 3-4 shqiptarë, bile në U-16 janë 11 shqiptarë që marrin pjesë. Ky është një shembull shumë domethënës” tha trajneri Valon Latifi.

Edhe një prind që kishte sjellë djalin e tij për të ushtruar futboll, na tregon se çfarë ndikimi kanë bërë Shaqiri me të tjerët tek fëmijët, dhe se dëshira e fëmijës së tij është që kur të rritet të bëhet yll futbolli.

Prindërit sakrifikojnë shumë  

“Gjithmonë kur luan Zvicra futboll kundër ndonjë ekipi tjetër, djali im qëndron para televizorit dhe e ndjek lojën me plot emocione duke bërtitur: Shaqiri, Shaqiri. Me të vërtetë ka disa lojtarë që e meritojnë simpatinë e fëmijëve, siç është Behrami tepër luftarak, pastaj Xhaka e Xhemajli. Po nëse nuk janë këta në lojë, djali im thotë “e di që po luan Zvicra por nuk janë duke luajtur lojtarët e mirë” dhe nuk e ndjek ndeshjen. Vërtet djali im i adhuron këta lojtarë dhe e tregon simpatinë që e ka për ta. Ai thotë se “kur të rritem do të bëhem si Shaqiri, do të luaj për ndonjë ekip të madh, kam me bo pare shumë dhe kemi me ble një shtëpi në Kosovë” tregoi Sylejman Jakupi, babai i Atdhe Jakupit që në ato momente ishte duke luajtur një ndeshje futbolli për FC Kosovën.

Mirëpo a është e mundimshme për prindërit që edhe të punojnë edhe t’i dërgojnë fëmijët për të luajtur në futboll?

“Është mund i madh për ne sepse punojmë nganjëherë edhe pasdite mirëpo unë gjithmonë e gjej një zgjidhje, nganjëherë e sjell gruaja nganjëherë vajza ime, por nuk e lëmë asnjëherë pa e sjellë këtu” shtoi Jakupi.

Fëmijët tanë në futboll po tregojnë një talent të madh duke bërë që për çdo vit të dalin në sipërfaqe talente të rinj.

Shaqiri, Behrami, e Xhaka me shokë si yje të futbollit vetëm sa ua kanë shtuar motivimin fëmijëve që të luajnë më shumë futboll me synimin që të bëhen si ata.

 Ëndrra për “pare shumë” dhe “për një shtëpi në Kosovë”

…djali im thotë: “kur të rritem do të bëhem si Shaqiri, do të luaj për ndonjë ekip të madh, “kam me bo pare shumë dhe kemi me ble një shtëpi në Kosovë” tregon Sylejman Jakupi, babai i Atdhe Jakupit që në ato momente ishte duke luajtur një ndeshje futbolli për FC Kosovën.