E-Diaspora

Nushi, në ligën amerikane?

Ai mund të bëhet pjesë e Major Soccer Leage (MSL), gjegjësisht e klubit D.C. United të Uashingtonit

Lojtari i kombëtares kosovare të futbollit dhe deri dje lojtar i St. Gallenit të superligës zvicerane, Kristian Nushi pritet që së shpejti të kalojë në ligën amerikane të futbollit. Ai mund të bëhet pjesë e Major Soccer Leage (MSL), gjegjësisht e klubit D.C. United të Uashingtonit, shkruan sport-fan.ch.

Pasi që nuk ka mundur të merret vesh me St.Gallenin për nënshkrimin e një kontrate të re, 31 vjeçari Nushi ishte ndodhur para dilemës se ku do të vazhdonte karrierën e tij. Fillimisht pritej se do të nënshkruante me FC Aarau, por kjo e fundit ndërkohë ka nënshkruar me futbollistin Dusan Djuric.

Nushi ka qëndruar ditëve të fundit në kryeqytetin amerikan për të marrë pjesë në stërvitjet provuese dhe ka lënë atje përshtypje të mira. “Trajneri dëshiron të më ketë”, thotë ai. Ka qenë dëshirë e kamotshme e tij që të fusë risi në jetën prej futbollisti, gjegjësisht të provojë edhe ndonjë ligë tjetër. E vetmja shije e hidhur që mund të ketë nga kjo përvojë është se mund t`i ndërpritet procedura për shtetësinë zvicerane në rast se mbetet për kohë të gjatë jashtë vendit, përfundon sport-fan.ch.