E-Diaspora

Të lumtë Artan!

Në dy turnetë e tenisit të mbajtur pak javë më parë, Artan Sadriji 12 vjeç ka shkëlqyer duke dalë bindshëm i pari në kategorinë e vet

Artan Sadriji vetëm pak kohë më parë ka mbushur 12 vjet dhe bën pjesë në kuadrin A të klubit të tenisit Spreietnbach (Kantoni Aargau), ku stërvitet nga trajneri Walter Tanner.

Gjatë dy-tri javëve që shkuan, Artani ka shkëlqyer në dy turne të rëndësishme të tenisit në kuadër të garës “Suzuki-Tennis-Junior-Grand Prix”. Jo vetëm të njohurit dhe familjarët por edhe mediet lokale e më gjerë e kanë përgëzuar atë për suksesin. “Të lumtë Artan” shkruan në një titull gazete që babai i tij, piktori Dussi Sadriu, jo pa mburrje e ka shpërndarë në rrjetin social, facebook. Urimi “I lumtë” pastaj ka bërë xhiron, duke marrë pëlqimin e dhjetëra shqiptarëve e zviceraneve në fb.

Si për shumë tenistë të rinj, në Zvicër e në botë, tenisti zvicern Federer është idhull i pakontestueshëm edhe për Artanin. Takimi me yllin e madh ka qenë një ëndërr për të. Këtë ëndërr e ka realizuar së fundi dhe dëshmi për këtë janë fotografitë

Tenisi është sport shumë i shtrenjtë. Duke qenë në mesin e tetë më të mirëve, Artani e ka fituar të drejtën të sponsorohet nga organizata Swisstenis. Megjithatë barra më e madhe bie mbi supet e familjes. Por, siç thotë babai i tij, Abdusamedi (“Dussi”), “me hyrjen e tij në çerekfinale, kanë filluar të paraqiten edhe sponsorë privatë”. Tashmë, shton ai, Artani ka nënshkruar marërveshjen për katër vite për sponzorim nga firm Gianola dhe jemi në bisedime edhe me sponsorë të tjerë potencialë.
 
“Sidoqoftë, me ose pa sponsorë, derisa ai të ketë këtë vullnet që e ka sot, unë do ta përkrah me kënaqësi. Ajo që më gëzon është se Artani ka si vullnetin ashtu dhe ambicien dhe seriozitetin për të qëndruar në rrugën e suksesit”, shton Dussi

Në turneun e parë që është zhvilluar më 25 dhe 26 tetor, ai jo vetëm që ka mbërritur në finale por e ka mposhtur numrin një të deriatëhershëm, me rezultatin 6/3 me 6/1.

Në turneun tjetër, atë të mbajtur më 1 dhe 2 nëntor në Cham, ishin paraqitur juniorët më të mirë të kantonit Aargau. Në ballafaqimin e parë, Artani ka mundur  me rezultatin 6/0 6/0  një garues të grupmoshës R5. Por, pas kësaj atë e priste tenisti numër një i këtyre kategorive në kanton, Denis Plüsss. Edhe kundër tij Artani fiton bindshëm duke befasuar kështu të gjithë, me rezultatin 6/2 6/3.

Pastaj, në gjysmëfinale ai fiton në tri njësi kundër garuesit numër 4. Finalja pas gjithë këtyre sukseseve ishte një përsëritje e mirëseardhur për të, shkruajnë gazetat regjionale për sukseset e Artanit. “Ai nuk tregoi aspak  nervozizëm dhe fitoi kundër numrit 2, Oliver Meyer, me rezultatin 6/3 6/4”.

Gjithë këto suksese brenda më pak se dy javësh, edhe për Artanin e mësuar me suksese, nuk janë pak. Ai është një djalosh krejt i veçantë që di saktësisht se çfarë dëshiron. Siç ka shkruar albinfo.ch para rreth një viti, Artan Sadriji  “synon të mbërrijë diku në dhjetëshen e më të mirëve të tenisit botëror”. Një objektiv i tillë dikujt mund t`i duket  iluzor, por ata që e kanë njohur Artanin, seriozitetin e tij dhe këmbëngulësinë, janë të prirë që t`i besojnë.

Pos në Zvicër, ai ka marrë pjesë edhe në gara tenisi në Kosovë, ku është vlerësuar lartë. Verën e vitit 2012, si 9 vjeçar, ka fituar  vendin e parë në kategorinë A11 në Prishtinë, në turnirin Prishtina Open. Ai thotë se kishte tenistë mjaft të mirë edhe atje.

Sadriji bën pjesë në klubin “TC Spreitenbach”, të qytetit me të njëjtin emër. Por, si njëri ndër më të dalluarit në kantonin Aargau, ai është pjesë edhe e grupit “Kader Aargau”, në Brugg që është diçka si përfaqësuese e kantonit, ku bëjnë pjesë vetëm më të zgjedhurit. Ai na zbulon se edhe vetë Federer në fillim kishte ushtruar në këtë grup. Një motiv më shumë për t`i ndezur ambicien Artanit që të mbërrijë majat e tenisit, sikur idhulli i tij i madh..