E-Diaspora

Taulant Xhaka, përfundimisht për Shqipërinë

Ai është shprehur për mediet zvicerane se ky veprim nuk është i orientuar kundër Zvicrës, por, thjesht, konkurrenca në kombëtaren zvicerane ka qenë tepër e fortë

Taulanti, të cilin shpesh e identifikojnë edhe si “vëllai i madh” i Granit Xhakës, yllit të Borussia Mönchengladbach-ut, përfundimisht do të luajë për kombëtaren e Shqipërisë. Ai i është përgjigjur ftesës së bërë nga kombëtarja shqiptare për të qenë pjesë e ndeshjes së saj kundër Portugalisë.

Duke iu referuar këtij lajmi, mediet zvicerane në publikimet e tre të sotme merren me fatin e dy vëllezërve Xhaka. Sipas tyre, me vendimin e fundit të Taulantit, 7dy vëllezërit e talentuar kurrë nuk do të kenë mundësi të luajnë më në të njëjtën kombëtare. Përderisa Graniti ka vendin e sigurt në kombëtaren e Zvicrës, Taulanti pritet të luajë për Shqipërinë në ndeshjen kundër Portugalisë. Dhe, siç shkruan gazeta “Tageswoche”, në momentin që Taulant Xhaka do të zhvillojë ndeshjen e parë për kombëtaren shqiptare, ai humb përgjithmonë mundësinë për të luajtur për Zvicrën.

Por, në vazhdim gazeta thotë se megjithatë është e mundur që dy vëllezërit të luajnë në një kombëtare të përbashkët, në atë të Kosovës! Kjo bëhet e mundur në rast se kombëtarja e Kosovës lejohet të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare zyrtare. Në një rast të tillë të gjithë lojtarët me prejardhje kosovare kanë të drejtë të luajnë për kombëtaren e re të shtetit të Kosovës.

I pyetur rreth përcaktimit të tij për Shqipërinë, Taulant Xhaka është shprehur për mediet zvicerane se ky veprim në asnjë mënyrë nuk është i orientuar kundër Zvicrës. “Synim imi është që të luaj në nivel ndërkombëtar ndërsa konkurrenca në kombëtaren zvicerane për pozicionin që luaj unë është tepër e fortë”, ka thënë ai.