E-Diaspora

UEFA, me vendim skandaloz për skandalin e Beogradit

Mediat evropiane janë shprehur të habitura me vendimin e marrë nga UEFA për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe në shumë raste e kanë quajtur skandaloz atë

Ndeshja Serbi-Shqipëri është regjistruar me rezultat zyrtarë 3:0 për serbët. Sipas shumicës së medieve evropiane, me këtë vendim UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin. “UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin”, është titulli i Toscana News. “Serbia shpërblehet me fitore për dhunën në ndeshje të Euro 2016”, shkruan nga ana tjetër prestigjiozia BBC.

„Zgjidhje solomoniane” e quan vendimin e UEFA-s gazeta e Zvicrës „Tages Anzeiger”, ndërsa komenti i kësaj gazete është më i ashpër ndaj vendimit skandaloz të UEFA-s dhe  titullohet: “Shansi i  lëshuar i UEFA-s”.

“Ky është një vendim vështirë i kuptueshëm dhe është vështirë të përpihet. (…) Si është e mundur që instancës më të lartë të futbollit në Europë t’i shkojë mendja që Federatën Serbe të Futbollit ta shpërblejë me fitore 3:0 për ndeshjen skandaloze kundër Shqipërisë, për turpin e Beogradit? (…) Komisioni disiplinor i UEFA-s ka mundur ta përjashtojë kombëtaren serbe për pjesën e mbetur të kualifikimeve për Kampionatin Europian, baza për këtë ka ekzistuar edhe për shkak të incidenteve para katër vitesh (ndeshja e ndërprerë mes Italisë dhe Serbisë, v.j.) Por, UEFA vendosi kundër kësaj dhe u tregua e mëshirshme. Kështu u humb shansi që të dërgohet një sinjal”, thuhet në komentin e gazetës „Tages Anzeiger“ për vendimin e UEFA-s pas ndeshjes në Beograd.

  “Serbia shpërblehet me fitore”, raporton televizioni britanik, ITV; “Serbisë iu dha fitorja, por i humbi pikët”, titullohet shkrimi i Sport24. Ndërkaq mediet kroate shkruajnë se “UEFA tregohet e butë me serbët”.

“Vendimi i UEFA-së, të gjithë humbës”, shkruan La Gazzetta Dello Sport. UEFA reagon me kompromis ndaj ndeshjes skandaloze” , sportschau.de. Ndërsa spiegel.de e pe¨rshkruan kështu vendimin e UEFA-s: „Vendim i çudishëm i UEFA-s: Ndeshja e ndërprerë „me dron” në mes të Serbisë dhe Shqipërisë është vlerësuar në favor të endësve, por ata nuk kanë fituar pikët . Në vend të kësaj, Serbia do të luajë dy ndeshje pa shikues dhe do të marrë dënim në të holla.