Tematike

Dhuna familjare vjen duke u rritur

Më së shumti akte të kësaj dhune ndodhin të dielave në mbrëmje. Gratë me prejardhje të huaj janë 4 herë e gjysmë më shpesh viktima se sa ato zvicerane

Në Zvicër është regjistruar një shtim i dhunës familjare. Në krahasim me periudhën 2009-2013, në vitin e fundit ka pasur një shtim prej 5.9 për qind të rasteve të dhunës së kësaj kategorie. Numri i akteve të dhunës familjare gjatë vitit 2013 ka qenë afër 9400, tri të katërtat e viktimave të së cilës kanë qenë vajzat dhe gratë.

Siç merret vesh ga të dhënat e Entit Federal për Statistikë (BFS) më së shumti akte të kësaj dhune ndodhin të dielave në mbrëmje. Në “vendin e dytë”  për nga numri i rasteve të dhunës është e shtuna.

Policitë kantonale gjatë vitit 2013 kanë regjistruar 16495 vepra të kryera penale dhe 9381 viktima të dhunës familjare. Një e katërta e veprave penale kryhen nga persona recidivistë. Susane Peter nga organizata e shtëpive për strehimin e grave në Zvicër  kërkon një strategji nacionale në këtë drenim. Ajo thotë se mungojnë resurset për të punuar në parandalim.

Rreth gjysma e akteve penale në familje ndodhin brenda partneritetit aktual, 29% në mesin e ish partnerëve.  

Sipas studimit të bazuar mbi të dhënat e anketimit të viktimave të dhunës nga viti 2011, vetëm çdo i pesti rast i dhunës paraqitet në polici.

Nga 8953 të akuzuarit për dhunë shtëpiake kanë qenë 79% meshkuj dhe 21% femra.

Gratë me prejardhje të huaj janë 4 herë e gjysmë më shpesh viktima të dhunës familjare se sa ato zvicerane.