Tematike

Modeli tradicional i familjeve nuk është më “në mode”

Në Gjermani duket të jetë transformuar shumë modeli i familjes tradicionale. Numri i familjeve tradicionale, çifteve të martuara me fëmijë ka shënuar rënie

Më pak se gjysma e gjermanëve jetojnë ende në familje me fëmijë, bëri të ditur Zyra Federale gjermane e Statistikave.
 
Vërtet që ende forma më e përhapur e familjes është ajo e modelit tradicional, familje me një ose disa fëmijë, por ky model është lëkundur shumë.

 Ndërkohë që në 1996 81% e çifteve kanë qenë të martuar e me fëmijë, më 2014 kjo shifër ka rënë në 70%. Përkundër kësaj është rritur në 20% numri i familjeve me një prind, pra prindi që i rrit fëmijët vetëm, pas divorcit ose ndarjes. Sipas statistikave gati çdo e treta familje në Gjermani e ka braktisur modelin klasik të familjes.
 Sipas sociologut gjerman, Jürgen Dobritz nga Instituti Gjerman për Studimin e Popullsisë “martesa nuk e ka humbur kuptimin në shoqërinë gjermane”.

Dobritz thotë se ne këtë e quajmë “individualizim të shoqërisë”. Sipas sociologut “fëmijët mbeten ende arsyeja kryesore për krijimin e një familjeje”, por fëmijët tani në Gjermani por edhe në Evropë jetojnë në forma të tjera familjare, si në familjen “patchwork”- familja e re që krijohet me çifte që sjellin fëmijët nga martesat e mëparshme, apo familje, ku çiftet bashkëjetojnë me fëmijë, por pa kurorëzim.

Statistikat nxjerrin edhe një rritje të numrit të familjeve që krijohen nga e njëjta gjini, apo çiftet pa celebrim nga 5 në 10%.

Rritjen e numrit të nënave të divorcuara, sociologët nuk e shohin vetëm tek integrimi i gruas në jetën e punës, por tek ndryshimi i mentalitetit. 35% e të anketuarve gjermanë nga mosha 20-39 vjeç e refuzojnë martesën, duke e quajtur atë një institucion që i ka kaluar koha.

Sipas statistikave duket se familja nuk është më forma më atraktive për çiftet. Numri më i madh i familjeve vetëm me një prind gjendet pikërisht në Berlin, ku jeton çdo e treta familje me një prind. Ndërkohë që më tradicional duket se është një land gjerman, ai i Baden-Vyrtembergut, aty është vetëm çdo e gjashta familje është familje me një prind.