Kosova

Stadiumi “Fadil Vokrri” i gatshëm për ndeshje futbolli

Pas renovimit të stadiumit të vjetër të Prishtinës, stadiumi i ri i cili u rinovua dhe emri i të cilit është "Fadil Vokrri", është i gatshmë për ndeshjen e së hënës mes dy klubeve kosovare pë Superkupën e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me Drejtorin e Pronës Dren Kukaj dhe disa asambleistë, vizitoi stadiumin e rinovuar  “Fadil Vokrri”  për të parë nga afër përgatitjet e fundit që po bëhen për ndeshjen e Superkupës së Kosovës mes Dritës dhe Prishtinës që do të zhvillohet të hënën me 13 Gusht.

“Të hënën do të jetë testi kryesor për federatën, për neve si komunitet të dëshmojmë se mund të zhvillojmë lojë të karakterit ndërkombëtar. Kjo lojë do të trajtohet gati si lojë ndërkombëtare, pasi që në shtator na presin lojët e para të përfaqësueses së Kosovës në Prishtinë, më saktë, me Maltën më 10 shtator. Të hënën presim një spektakël, dhe u bëj ftesë tifozëve që të vijnë në numër sa më të madh, ta mbushin këtë stadium qysh i ka hije, jo vetëm për shkak të lojës dhe stadiumit, por edhe t’ia japim një nderim Fadil Vokrrit pasi që është hera e parë që luhet një lojë në stadiumin që tashmë e mban emrin e tij” tha Kryetari Ahmeti.

Ndërsa kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi,  ka falënderuar Kryetarin Ahmetin për iniciativën që stadiumi ta mbajë emrin e Fadil Vokrrit dhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe Kuvendin Komunal për marrjen e këtij vendimi.

Emri i stadiumit u vendos për nderë të legjendës shqiptare në futboll Fadil Vokrrit i cili para disa muajve ndërroi jetë pas disa problemeve shëndetësore.