Integrimi

Studentit shqiptar, të lindur në Zvicër i refuzohet pasaporta zvicerane: nuk i di emrat e kafeneve të fshatit!

Ndonëse pranon se në momentin e marrjes në pyetje i është kujtuar vetëm njëri nga restorantet, ai thotë se kjo gjë nuk mund të merret si bazë që dikujt t`i mohohet pasaporta e Zvicrës. Ai ka ushtruar ankesë

Pas rastit që vitin e kaluar pati bërë bujë në gjithë botën, atij të refuzimit për shkaqe banale të nënshtetësisë zvicerane të një të reje turke në Kantonin Aargau, tash kemi edhe rastin e ngjashëm të një shqiptari.

Mërgim Ahmeti, 22 vjeçar me prejardhje nga Kosova por i lindur dhe i rritur në Zvicër, është refuzuar nga zyra kompetente për natyralizim me arsyetimin se: nuk ka ditur emrat e 2 nga 3 kafenetë e fshatit ku jeton, Montlingen të Kantonit St. Gallen, shkruan 20minuten.ch.

Mërgimi, ndryshe ndihet zviceran dhe kjo nuk është për t`u habitur. Ai, pasi ka punuar një kohë, ka vendosur të ndjekë studimet në Shkollën e Lartë Profesionale për Ekonomi Ndërmarrjeje, transmeton albinfo.ch. Po ashtu cv-ja e tij është plotësisht e pastër: nuk ka asnjë regjistrim në dosje penale dhe as në zyrën e tatimeve ose të migracionit. Madje as edhe ndonjë gjobë trafiku.

Cila është atëherë arsyeja që këshilli për natyralizim i fshatit Montlingen ka hedhur poshtë kërkesën e tij? Në vendimin e këshillit në fjalë thuhet: “Integrimi në fshat është i dobët. Ai angazhohet tepër pak që të integrohet tërësisht në fshat, për shembull ai nuk i njeh restorantet në Montlingen, edhe pse në këtë fshat është rritur. Restorante të ndryshme gjenden në qendër të fshatit dhe në rrugën për në shkollë”.

“Është si një goditje me grusht në fytyrë”, thotë Ahmeti, duke shprehur mospajtimin e ti me këtë vendim pasi që konsideron se është i integruar dhe jeton prej 22 vitesh në këtë komunë, transmeton albinfo.ch. Ndonëse pranon se në momentin e marrjes në pyetje i është kujtuar vetëm njëri nga restorantet, ai thotë se kjo gjë nuk mund të merret si bazë që dikujt t`i mohohet pasaporta e Zvicrës.

Këshilli për natyralizim po ashtu ka bërë vërejtje se Mërgimi nuk bën pjesë në asnjërën nga shoqatat sportive ose kulturore të fshatit. Ndërkaq ai thotë se në klubin futbollistik ka qenë aktiv si më i ri por ndërkohë e ka braktisur për shkak të angazhimeve në vendin e punës, që e kishte jashtë fshatit, përcjell albinfo.ch. “Këshilli për natyralizim ka kërkuar enkas arsye për të ma refuzuar pasaportën zvicerane”, është i bindur Ahmeti.

Nga ana tjetër, kryetari i këshillit për natyralizim në Montlingen që është edhe kryetar i komunës, Oberriet, ku bën pjesë Montlingeni, Rolf Huber, nuk dëshiron të deklarohet në hollësi lidhur me rastin. Ai thotë se bëhet fjalë për një procedurë që është duke rrjedhur. Por, mosnjohja e kafeneve të fshatit nuk është kriter përcaktues në procedurën e natyralizimit, transmeton albinfo.ch. “Bëhet fjalë për njërën nga shumë pyetje të cilave ushtruesi i kërkesës është dsshur t`u përgjigjej dhe në bazë të tyre ne marrim vendimin nëse dikush është i integruar ose jo”.

Për ksenofobi, urrejtje ndaj të huajve nuk është fjala në asnjë mënyrë, thotë Huber. Por, sipas tij, këshilli për natyralizim ka “Një vijë të qartë” për disa parakushte që duhet të plotësohen. “Mirëpo barrierat janë të kalueshme dhe natyralizimi me siguri nuk është i paarritshëm”.

Për Ahmetin kjo është hera e dytë e refuzimit të kërkesës për pasaportën zvicerane. Herën e parë, para disa viteve, familja e tij kishte bërë kërkesë për natyralizim. Por kjo u ishte hedhur poshtë për shkakun se nëna e tij, si e vetmja në familje, nuk e fliste mirë gjermanishten. Një kërkesë i ishte refuzuar edhe motrës së tij më të madhe, e cila që në atë kohë ishte në moshën madhore.

Mërgim Ahmeti ka bërë ankesë kundër vendimit të këshillit natyralizues të Montlingenit. Ankesës ia ka bashkëngjitur edhe një letër referencë të punëdhënesit të tij, përcjell albinfo.ch. Aty shkruan se ai e ka marrë me shumë shqetësim njoftimin për refuzimin e pasaportës zvicerane dhe se Ahmeti ka treguar “rezultate të shkëlqyera” si dhe ka dëshmuar shanse shumë të mira për karrierë.