Zhvillim

Studentja e kthyer nga Zvicra shpërblehet për projektin e pemëtarisë në Kosovë

Studentja e UBT-së, Arta Rrustemi implementon biznes-planin “Ngritja e pemishtes së re me mollë”. Grandin e projektit, ajo e ka fituar nga Ministria e Bujqësisë në Kosovë

Studentja Arta Rrustemi implementon biznes-planin “Ngritja e pemishtes së re me mollë”

Ka filluar të implementohet biznes-plani “Ngritja e pemishtes së re me mollë”, projekt ky i cili është punuar nga studentja e UBT-së në vitin e tretë në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Arta Rrustemi. Ky projekt përmban të gjitha planet operacionale për hapjen e një biznesi të ri dhe fillimisht si plan është prezantuar në kuadër të lëndës Menaxhimi Strategjik dhe Ndërmarrësia, thuhet në një komunikatë të dërguar nga UBT.

Grandin e projektit, studentja e UBT-së, Arta Rrustemi e ka fituar nga Ministria e Bujqësisë në Kosovë dhe bëhet fjalë për riparim të pemishtes dy hektarë, si dhe krijimin e një pemishteje të re prej katër hektarësh.

Sipas saj, projekti do të zhvillohet në fshatin Prapashticë të komunës së Prishtinës dhe ka për synim rritjen dhe shitjen e produktit vendor.
“Me mjetet si sistemin solar edhe mjetet të caktuara të ujitjes, do të punojmë sipas “Lean Management”, që e parasheh kursimin e ujit dhe kostove pa ulur cilësinë e produktit”, tha Rrustemi, e cila shtoi se falë mundësive të ofruara nga UBT dhe Ministria e Bujqësisë, zbatimi i planit po ecë mirë.

Për zbatimin e këtij projekti, vëmendje të veçantë i kanë kushtuar edhe mediat zvicerane, që cilat kanë konsideruar që në Kosovë po hapen biznese të reja nga studentë të suksesshëm. Madje, sipas gazetës “20 minuten”, këto biznes-plane janë të modelit zviceran.
Ndërkohë, studentja Arta Rrustemi është fituese edhe e bursës së programit “Erasmus Mundus”, përmes së cilës ka vijuar studimet për dy semestra në Berlin të Gjermanisë.

UBT është përkushtuar në zhvillimin e programeve akademike, të cilat janë kombinuar me hulumtime shkencore të kualitetit të lartë dhe në harmoni me standarde ndërkombëtare.

Arta Rrustemi është lindur dhe është rritur në Zvicër, në St. Gallen. Këtu ajo kishte një vend të rehatshëm pune por para rreth tri viteve ajo kishte vendosur të kthehej në Kosovë, ku dhe ka arritur sukseset për të cilat flet artikulli.