Zhvillim

Suedia përkrah Kosovën me 8-10 milionë euro në vit

Gjatë takimit, delegacionet e udhëhequra nga Ahmetaj dhe Nilsson shqyrtuan progresin në zbatimin e përkrahjes suedeze për periudhën nga 2014-2020, në vlerë prej 8-10 milionë euro në vit

 

Ministria e Integrimit Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë kanë organizuar takimin vjetor ndërmjet Suedisë dhe Kosovës në kuadër të bashkëpunimit suedez të reformave me Kosovën, e cila parasheh marrëveshjen e bashkëpunimit për reforma gjatë viteve 2014-2020, ka njoftuar ministria, përcjell albinfo.ch.

 

Ministrja e Integrimit, Mimoza Ahmetaj ka thënë se objektivi është vazhdimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si dhe përkrahje e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu ajo e ka falënderuar për ndihmën që ka dhënë Suedia deri më tani, derisa kanë folur edhe për disa çështje: zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e sektorit privat, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

 

Edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, është shprehur se Suedia është e kënaqur në përgjithësi me bashkëpunimin për reformën dhe sinqeritetin për dialog nga ana e Kosovës, edhe pse janë shumë sfida me të cilat ballafaqohet Kosova.

 

Gjatë takimit, delegacionet e udhëhequra nga Ahmetaj dhe Nilsson shqyrtuan progresin në zbatimin e përkrahjes suedeze për periudhën nga 2014-2020, në vlerë prej 8-10 milionë euro në vit.

 

Delegacionet konfirmuan se ndihma është duke u zbatuar siç është planifikuar, aktualisht me 25 programe dhe projekte.