Shkurt.ch

Sulmuesi me motosharrë, i armatosur me dy harqe me shigjeta!

Sulmuesi ishte i armatosur me dy harqe, në të cilat i kishte vendosur shigjetat në gjendje për të qëlluar, ka njoftuar policia

Policia Kantonale  dhe prokuroria publike e Schaffhausen-it, në një konferencë shtypi që posa u mbajt, ka bërë të ditur rrethanat e arrestimit të “sulmuesit me motosharrë”, Franz Vrousis.

Ai është arrestuar derisa ishte duke ecur këmbë  në Thalwil të Kantonit të Cyrihut dhe nuk kishte bërë fare rezistencë. Por, ka theksuar policia, sulmuesi ishte i armatosur me dy harqe, në të cilat i kishte vendosur shigjetat në gjendje për të qëlluar, shkruan albinfo.ch. Harqet i kishte vënë në një qese.

Ndërkaq sharra motorike me të cilën ai kishte plagosur pesë persona një ditë më parë, nuk i është gjetur.

51 vjeçari sipas prokurorisë është sjellë në mënyrë kooperative gjatë arrestimit. Ndërsa lidhur me motivet që e kanë shtyrë të bëjë sulmin e pardjeshëm, policia ende nuk mund të thotë asgjë. Ai ende nuk është marrë në pyetje. Po ashtu policia nuk ka përgjigje rreth mënyrës së udhëtimit të personit në fjalë nga Schaffhauseni në Thalwil.