Sport

Superliga: Luajtën 11 shqiptarë, shënoi vetëm Mehmedi

Titullin e kampionit vjeshtor e fitoi kampioni aktual FC. Basel, pas 18 javëve të zhvilluara, me 38 pikë

U zhvillua java e fundit e Super ligës zvicerane në futboll. Karakteristikë e kësaj jave është se në 5 ndeshjet e zhvilluara u arritën 3 barazime me rezultat të njëjtë – 1 : 1 dhe nga një ndeshje e fituan vendësit dhe mysafirët po ashtu me rezultat të njëjtë – 2 : 1. Pra nga 6 pikë të fituara si nga vendësit ashtu edhe nga mysafirët.

Sa u përket futbollistëve shqiptarë, në këtë javë u paraqitën gjithsej 11 prej tyre. Realizatori vetëm ishte Admir Mehmedi i FC Zurich. Me karton të verdhë u ndëshkuan 2 futbollistë: Burim Kukeli i FC Luzern dhe Xherdan Shaqiri nga FC Basel. Vetëm në një ndeshje futbollistët shqiptarë luajtën si kundërshtarë mes vete: Në ndeshjen Neuchatel-Basel ku Vullnet Basha luajti kundër Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Titullin e kampionit vjeshtor e fitoi kampioni aktual FC. Basel, pas 18 javëve të zhvilluara me 38 pikë, shtatë më shumë se ndjekësit FC Luzern dhe FC Sion, të cilët kanë tubuar nga 31 pikë.

FC Zurich–FC Sion  1 : 1 – Realizator Admir Mehmedi

Në këtë ndeshje, nga fillimi u paraqitën Admir Mehmedi dhe Adrian Nikçi në radhët e vendësve. Mehmedi luajti tërë ndeshjen kurse Nikçi u zëvendësua në minuten e 73 . Golin e epërsisë për vendës e shënoi Mehmedi në minutën e 32-të. Në anën e mysafirëve Florian Berisha ishte rezervë por nuk u aktivizua fare.

FC Neuchatel Xamax–FC Basel  1 : 1

Në këtë ndeshje në radhët e vendësve, futbollisti shqiptar Vullnet Basha  i cili luajti tërë ndeshjen kishte përballë dy futbollistë shqiptarë: Granit Xhakën i cili po ashtu luajti gjatë tërë ndeshjes dhe Xherdan Shaqiri i cili luajti nga minuta e 67, duke u ndëshkuar me karton të verdhë në fund të ndeshjes.

FC Luzern–FC FC Servette  1 : 2

Futbollistët shqiptarë Burim Kukeli dhe Jahmir Hyka pësuan humbje si vendës. Kukeli ishte prezent tërë ndeshjen. Ai edhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 56. Hyka hyri në fushë nga minuta e 77.

FC Thun–FC Young Boys  1 : 1

Në këtë ndeshje për vendësit luajtën Muhamed Demiri gjatë 90 minutave kurse Milaim Rama nga minuta e 62-të.

FC Lausanne Sport — FC Grasshopper  2 : 1

Në ndeshjen derbi i të rrezikuarve ku u takuan i fundit dhe i para fundit në renditje , fituan vendësit. Në këtë takim për mysafirët u paraqitën Orhan Mustafi i cili luajti vetëm në pjesën e parë dhe Mërgim Brahimi i cili u aktivizua nga minuta 86.