Lajme

Surroi e krahason flamurin e Kosovës me peshqirët e hoteleve turke

Derisa ka kundërshtuar Kodin Penal të Kosovës, i cili ndalon fyerjen e simboleve shtetërore, Veton Surroi ka thënë se flamuri i Kosovës më shumë “i ngjan një peshqiri të hoteleve turke” se sa një simboli shtetëror

Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi e ka krahasuar flamurin e Kosovës me peshqirët e hoteleve  turke. Ai në një reagim në Facebook ndaj ligjit që po përgatitet me qëllim sanksionimin penal ndaj kujtdo që fyen apo përbuzë simbolet e shtetit, thotë se Kodi i ri Penal është një delikt verbal që i ngjason ish regjimit Jugosllav.

“Ministria e Drejtësisë përgatitka një kod të ri penal me të cilin sërish mund ta rikthejë deliktin verbal. Në ish Jugosllavi ishte neni famëkeq 133 , e Ministria e Drejtësisë e paska bërë 134. Në të , në pikën c shkruhet kështu: Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara: 1.1. fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose 1.2. fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë”, ka shkruar Surroi në Facebook.

Derisa ka kundërshtuar korrektësinë e këtij norme juridike, Surroi ka thënë se flamuri i Kosovës më shumë i ngjan një peshqiri të hoteleve turke, citon Insajderi.

“Sa për informim paraprak të Ministrisë së Drejtësisë, konsideroj dhe kam shkruar se flamuri i Kosovës më shumë i ka hije një peshqiri të hoteleve turke (me gjashtë yje) se sa përfaqësimit të këtij vendi. Të njëjtën gjë jam i gatshëm ta përsëris edhe nëse aprovohet ky ligj. Si do ta vlerësonte gjykatësi këtë deklarim të hapur timin”, ka deklaruar ai.