Sport

“SV Albania”, befasia më e këndshme e kampionatit

Klubi i Futbollit "SV Albania" nga Vjena starton shkëlqyeshëm në ligën e katërt (Oberliga), në një vend që ka tetë liga futbolli

Në Vjenë jeton një numër relativisht i madh shqiptarësh. Në mesin e këtij komuniteti sa vjen e rritet edhe rinia sportdashëse shqiptare, e cila zhvillon aktivitete në shumë sporte. Mërgata shqiptare këtu ishte e njohur për sportet luftarake, por këtë vit në Vjenë u themelua edhe ekipi i futbollit SV Albania. Ekipi garon në ligën e katërt të Austrisë.

Mair Istrefi nga Struga, i cili është sekretar e këtij klubi, tregon se duke parë nevojën e kamotshme të rinisë shqiptare në këto anë për integrim dhe organizime të mirëfillta ekipore, së bashku me kushëririn e tij dhe dy bashkatdhetarë tjerë, morën iniciativën për themelimin e klubit futbollistik “SV Albania”.

“Ne kemi kaq shumë të rinj të zellshëm e të talentuar, shumë nga të cilët nuk po munden të gjejnë veten në ekipet tjera. Prandaj, në mënyrë që ata të mos bredhin rrugëve, themelimi i klubit ishte nevojë e domosdoshme. Në një mbledhje ku u diskutua gjerësisht për themelimin dhe startimin e ekipit, u formua kryesia dhe u zgjodh edhe trajneri. Për kryetar u zgjodh Nderim Istrefi, nënkryetar Argetim Hani, sekretar Mair Istrefi, arkëtar Samed Vinca. Trajner u zgjodh Lulzim Bojku kurse kapiten i ekipit është Robert Gjinaj.

Mairi gjatë bisedës thekson se në këtë klub aderojnë anëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. “Në këtë klub ka anëtarë nga Struga, Kosova, Tetova, Presheva, Kumanova, me një fjalë nga të gjitha trevat shqiptare. Qëllimi ka qenë që me formimin e këtij klubi, të mos mbetemi mbrapa të tjerëve, por ata të rinj që kanë afinitete për këtë lojë të mund të gjejnë shprehje, për ta ruajtur rininë tonë të shëndoshë, larg dukurive negative që kemi rastin t`i shohim në Austri” thotë Mair Istrefi.

“Pasi bëmë regjistrimin pranë organeve kompetente ne u informuam se një klub nga liga e katërt po nga ky rajon ishte në shuarje e sipër. Me këtë rast ne mobilizuam forcat dhe blemë të drejtën e garimit në këtë kategori. Siç e dini në Austri ekzistojnë 8 liga gjithsej dhe secili klub në fillim starton në ligën e tetë. Ajo që më gëzon më së shumti thotë Mairi, është se ekipi po tregon rezultate fenomenale në këtë kategori.

Jemi befasia më e këndshme e kampionatit, gjendemi në pozitën e pestë, me 24 pikë të tubuara nga12 ndeshje të zhvilluara. Shpresojmë shumë që të kemi vazhdimësi, e pse jo edhe të ngjitemi në ligën e tretë në dy tri vitet e ardhshme”, tregon Mair Istrefi.

Në saje të një disipline të rrallë, kulture të lartë sportive dhe sjelljes së mirë e kolegjiale brenda ekipit, klubi që tani në fillim të sezonit vjeshtor arriti një rezultat të shkëlqyeshëm.

Siç na deklaroi trajneri Lulzim Bojku, ambiciet e klubit, kryesisë dhe vetë lojtarëve janë që këtë vit të stabilizohen në ketë kategori. “Pastaj së bashku të synojmë që brenda një afati të shkurtër të kualifikohemi në ligen e tretë. Ndaj edhe që të gjithë po punojnë maksimalisht për të arritur cakun e dëshiruar”.

Se këto synime janë më se reale, për këtë dëshmon edhe rezultati i arritur që në start të këtij sezoni.

Për këto të arritura, kryetari klubit në rend të parë falënderon shumë trajnerin-lojtar Lulzim Bojku, për angazhimin dhe suksesin e arritur, por edhe kolegjialitetin e disiplinën që mbretëron brenda lojtarëve. Ai po ashtu është i kënaqur edhe me faktin se të gjitha punët administrative janë kryer me kohë.

“Mund të them lirisht se me ndihmën e sponsorëve kemi arritur pa asnjë problem, të sigurohemi me veshmbathje për lojtarët dhe mjetet tjera për ushtrime. Kuptohet, ne kemi nevojë edhe për më shumë mjete, ndaj edhe lus kompanitë shqiptare, bashkatdhetarët dhe qytetarët tjerë nga Austria që të na ndihmojnë edhe më tej dhe të përcjellin çdo lojë, ngase çdo mbështetje e tillë do të jetë edhe motiv e nxitje më tepër për sukseset e djelmoshave tanë të zellshëm- , thotë kryetari i Klubit Nderim Istrefi.

Edhe gazetat austriake informojnë rregullisht për klubin shqiptar, në linkun e mëposhtëm është një nga informimet. http://www.fanreport.com/at/wien/liga/oberliga-b/spielbericht/albania-gelingt-in-grossfeld-ein-dreipunkter-57091/