Shqipëria

Tahiri: Jam i gatshëm të hetohem por jo të arrestohem

Ish-ministri deklaron se është gati të dalë në gjyq ligjor qoftë dhe politik, t’i kontrollohet dhe shtëpia e tij por nënvizon se nuk do të pranojë pranga politike në duar

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sjellë prova të reja në lidhje me dosjen hetimor ndaj ish-ministrit Saimir Tahirit. Prokurori, Besim Hajdarmataj ka thënë se gjatë ditës së djeshme kanë mbërritur në prokurori dhe kërkohet administrimi i këtyre provave të reja.

Ndërsa avokati i deputetit Saimir Tahiri kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për marrjen e autorizimit për arrestimin e tij. Avokati Artan Hajdari tha se prokuroria nuk ka paraqitur as prova dhe të dhënat e paraqitura prej saj nuk mund të përbëjnë as indicie.

“Nuk përbejnë karakterin e një dyshimi të arsyeshëm. Ato nuk përbëjnë asnjë indicie. Nuk mund të akuzosh një person e të nisesh nga një aksion në Itali, por duhet të provohet”, u shpreh ai.

Ndërsa Ish-ministri deklaron se është gati të dalë në gjyq ligjor qoftë dhe politik, t’i kontrollohet dhe shtëpia e tij por nënvizon se nuk do të pranojë pranga politike në duar. Duke debatuar me deputetin Enkelejd Alibeaj, Tahiri deklaroi: “Pranga politike në duar nuk pranoj, Harroje! Unë si ty që të rri në një parti me kriminelë nuk jam.  Apo të rri në parti me hajdutë spektakolarë që i kanë shpëtuar drejtësisë nuk jam”.

Ndërsa ka thënë se ai nuk do të largohet nga Shqipëria. I pyetur se a ndihet fajtor, Tahiri ka thënë se këtë do ta thonë organet e drejtësisë.