Kosova

Tahiri: Kemi prokurorë të guximshëm, do të konfiskohet pasuria e paligjshme

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është shprehur i bindur se Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara në Konfiskimin e Pasurisë do të marrë përkrahjen e deputetëve në Kuvend.

Tahiri tha se risitë e këtij projektligji do të ndihmojnë në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme.

“Tashmë është përfunduar debati sa i përket këtij projektligji, nuk është përfunduar, nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit, nuk ka hyrë fare në votim e rëndësishme është që ky projektligj do të votohet dhe ky projektligj do të kalojë. Pra, do të hyjë në fuqi dhe unë pres që në fillim të javës së ardhshme të votohet në leximin e parë, pastaj t’i kthehen komisionit për amendamentim të ideve të deputetëve që kanë në lidhje me këtë projektligj”, ka deklaruar Tahiri, për Ekonomia Online.

Tahiri është shprehur i bindur që ky projektligj do të hyjë në fuqi shumë shpejt dhe se institucionet e drejtësisë do të konfiskojnë pasuri, e cila është fituar në mënyrë të jashtëligjshme.

Ai vlerëson se me ligjin e ri, mundësitë për të kryer konfiskime janë shumë më të mëdha se në të kaluarën.

Madje sipas ministrit të Drejtësisë, ky projektligj do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të pasurive të konfiskuara, numër ky, sipas Tahirit, i pamjaftueshëm deri më tash.

“Normalisht janë të gjitha statistikat se sa është konfiskuar me vendim të formës së prerë të gjykatës dhe nuk është një numër i mjaftueshëm që do të duhej të ishte, ne e dimë që asetet të cilat janë fituar në mënyrë të jashtëligjshme të paktën pretendohet që të jetë shumë më i madhe sesa kjo që është konfiskuar, pikërisht për këtë e kam përpiluar një projektligj të tillë”, ka shtuar Tahiri.

Më tutje, ai tha se gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës kanë kredibilitet të lartë dhe se do të arrijnë të përfundojnë me sukses edhe rastet të cilat konsiderohen të rënda.