Kosova

Tahiri: Kosova, i vetmi vend në Ballkan që kompenson viktimat e krimit

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, ka pasur një takim me anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në shënim të Ditës Evropiane të Viktimave të Krimit.

Ministri ka shprehur përkushtimin e tij për të ndihmuar qytetarët që janë viktima të krimit në realizimin e të drejtës ligjore për kompensim, përcjell albinfo.ch.

“Konsideroj se drejtësia nuk mund të arrihet nëse viktimat harrohen apo nuk trajtohen në mënyrë të drejtë, për këtë qëllim sistemi jonë i drejtësisë po transformohet çdo ditë duke vënë në qendër mbrojtjen e viktimës”, ka thënë ministri Tahiri.

Ai ka falënderuar anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit për punën që e kanë bërë, duke i siguruar se baza ligjore e këtij programi siguron qëndrueshmëri financiare dhe institucionale.

Nesrin Lushta, si kryesues, bëri të ditur se Komisioni është funksional nga prilli i vitit të kaluar dhe se qëllim kryesor të punës së tyre kanë që viktimat të trajtohen pa diskriminim, por me respekt dhe dinjitet.