Sport

Taip Ramadani, prej `down under` në Kosovë

Pas një karriere të pasur si hendbollist dhe trajner i hendbollit në Australi, Taip Ramadanit së fundi ju besua detyra e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës. Albinfo.ch e ka takuar atë në Prishtinë

Taip Ramadani lindi në vitin 1972 në Sydney të Australisë, në një familje me prejardhje nga Malësia e Bujanovcit e cila jetonte në Kosovë dhe kishte emigruar në Australi në vitin 1969. Në moshën shtatëvjeçare, Taipi me familjen e tij i kthejnë shpinën Australisë dhe vijnë të jetojnë në fshatin Opajë të Kumanovës. Aty ai kreu shkollën fillore dhe filloi  hapat e parë të hendbollit. Në moshën 14-vjeçare ai kthehet sërish në Sydney ku vazhdon zhvillimin e tij si hendbollist. Në vendlindjen e tij përfundoi studimet e inxhinierisë mekanike dhe gjatë gjithë kohës nuk i ndahej hendbollit, sport ky që në atë kohë në Australi dominohej nga emigrantët ish-jugosllavë, kryesisht serbë dhe kroatë.

Kur në vitin 1993 Sydney-t ju besua organizimi i Lojërave Olimpike të vitit 2000, Federata Australiane e Hendbollit, filloi përgatitjet për këtë ngjarje të veçantë sportive duke përpiluar një listë të hendbollistëve të talentuar australianë. Njëri ndër 40 lojtarët e nominuar për të përfaqësuar  vendin në LO, ishte edhe Taip Ramadani cili që nga kjo kohë bëhet pjesë e Kombëtares australiane që në atë periudhë luante lojëra të shumta përgatitore në Evropë dhe Azi. Gjatë këtij rrugëtimi ai njohu personalitete të shumta të hendbollit botëror me të cilët edhe sot mban kontakt. Niveli i hendbollit në Australi në atë kohë nuk ishte edhe aq i lartë. Ky sport ishte nën hijen e sporteve kombëtare australiane si noti, rugby etj.

Në vitin 1997 hendbollisti i talentuar Ramadani merr një vendim të rëndësishëm në karrierën e tij. Nënshkruan një kontratë për ekipin hungarez Csömör, ekip ky i ligës së parë hungareze. Pas qëndrimit njëvjeçar në Hungari ku ai pati një zhvillim të hovshëm, Taip Ramadani kthehet në Australi ku u vërejt përparimi i tij dhe që nga ajo kohë ai hyn në formacionin e parë të Kombëtares. Si lojtar i saj, ai mori pjesë  në Kampionate Botërore dhe në Lojërat Olimpike si nikoqir  në Sydney. Pas paraqitjeve të mira në këto kampionate e sidomos në lojërat aziatike në Japoni, një ndër ekipet më të mira norvegjeze, Drammen HK, ftoi në prova hendbollistin tashmë më të mirë të Kombëtares australiane. Provat e kaluara me sukses i sollën atij një kontratë dyvjeçare me këtë ekip ku edhe thelloi njohuritë e tij për hendbollin duke u aktivizuar edhe si trajner juniorësh për katër vite qëndrimi në Norvegji.

Pjesëmarrja në seminare të shumta të shkollës së njohur norvegjeze të hendbollit, i dhanë një bazë shumë të fortë për zhvillimin e tij si trajner hendbolli. Pas Norvegjisë pasoi aktivizimi në Katar ku po ashtu ishte angazhuar si lojtar dhe trajner por edhe punonte në organizimin e lojërave aziatike. Kthimi në Canberra dhe përvoja katërvjeçare në klubin e hendbollit të këtij qyteti si trajner e njëkohësisht dhe si lojtar dhe asistent i trajnerit të Kombëtares australiane, e sollën Globetrotterin e hendbollit Taip Ramadanin në postin e trajnerit kryesor të Kombëtares në vitin 2009. Këtë post ai e mbajti për katër vite.

Qysh në vitin 2001 Taip Ramadani ishte kontaktuar nga kryetari i atëhershëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Mexhid Devaja. Ftesës së FHK-së i ishte përgjigjur disa herë duke qenë pjesë e Kombëtares kosovare gjatë turnireve në Turqi, Gjermani dhe në Luksemburg. Para disa javësh atij ju besua detyra e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës të cilën në muajt e ardhshëm e presin disa lojëra të rëndësishme për kualifikim për Kampionatin Evropian në vitin 2020. Momentalisht kombëtarja gjendet në përgatitje në Prishtinë ku shfrytëzuam rastin për një bisedë me përzgjedhësin e ri.

Albinfo: Z. Ramadani, së pari ju përgëzojmë për postin që ju besua nga  Federata e Hendbollit të Kosovës. Si e keni pritur ofertën e Federatës për këtë post?

Taip Ramadani: Unë gjatë gjithë kohës kam qenë i informuar për rrjedhat e hendbollit në Kosovë dhe kam përcjellë sa kam mundur zhvillimin e tij. Pos angazhimit tim si lojtar në Kombëtaren e Kosovës në të kaluarën, kam qenë i interesuar të angazhohem edhe si trajner. Jam i lumtur dhe ndihem i respektuar dhe i privilegjuar që mu besua ky post.

Si i vlerësoni ditët e para si udhëheqës i Kombëtares dhe sa jeni i kënaqur me kushtet dhe kualitetin e lojtarëve që po marrin pjesë në këto përgatitje?

Krejt çka kam parë këtu deri sot më ka befasuar këndshëm. Duke filluar nga organizimi dhe kushtet që na ka ofruar  Fedarata e deri te respekti, disiplina dhe angazhimin i treguar nga ana e lojtarëve.

Çka  veçoni si anë pozitive e çka si anë negative të djelmoshave tuaj në ditët e para së bashku?

Jam shumë i kënaqur me angazhimin e tyre. Djelmoshat kanë një shpirt luftarak, gjë që unë e çmoj shumë. Ata ushtrojnë qysh nga minuta e parë me shumë zell dhe pa asnjë ankesë. Nuk do të thosha se është negative por diçka që duhet të përmirësohet, është komunikimi i lojtarëve me mua. Për mua është shumë me rëndësi mendimi i lojtarëve. Ata  janë në fushë dhe se çka ata mendojnë, kjo është shumë e rëndësishme në punën time. Do të punojmë edhe në këtë drejtim. Me kohë do të njihemi më mirë me njëri tjetrin por edhe unë do të mësoj më shumë për mentalitetin e hendbollistit kosovar.

Në muajt e ardhshëm keni disa ndeshje të rëndësishme për kualifikim për Kampionatin Evropian në vitin 2020. Çka pritni nga këto ndeshje dhe në përgjithësi nga e ardhmja e Kombëtares?

Si për mua, po ashtu edhe për të gjithë lojtarët e mi, qëllimi është të fitojmë çdo ndeshje të cilën e fillojmë. Natyrisht se presim që të fitojmë edhe eksperiencë në arenën ndërkombëtare, të forcohemi si ekip dhe të kemi një harmoni ndërmjet vete. Për të ardhmen shpresoj të jemi në grupin e ekipeve më të mira në Evropë. Por kjo nuk do të arrihet për dy-tri vite por për një kohë më të gjatë, natyrisht me angazhim të përbashkët dhe punë të madhe.

Si e planifikoni punën tuaj me Kombëtare në muajt e ardhshëm?

Grumbullimi i parë ka qëllimin para së gjithash të njihemi me lojtarët. Nga fillimi i Shtatorit,  për pesë muaj do të qëndroj në Kosovë dhe do të përcjell lojtarët e Superligës nga afër. Si me grumbullime të Kombëtares por edhe në forma tjera, do të mundohemi që para lojës së parë në nëntor të jemi të përgatitur maksimalisht.

Çka pritni nga lojtarët që luajnë jashtë të cilët pritet të ju bashkohen në grumbullimin e ardhshëm?

Më vjen shumë mirë që disa prej tyre kanë shprehur vullnetin për të luajtur me ne. Ata me siguri do të jenë ndihmë e madhe për ne por lojtarët që luajnë jashtë do të kenë trajtim të njëjtë si lojtarët që luajnë në Superligë. Në të ardhmen do të kam kontakt të rregullt me lojtarët jashtë dhe pres që ata të identifikohen plotësisht me vlerat e përbashkëta të Kombëtares.

A do të jetë në fokusin e punës suaj  vetëm Kombëtarja e seniorëve apo planifikoni që  të jeni aktiv edhe në punën me grupmosha të reja?

Për mua është shumë e rëndësishme te kemi një bashkëpunim të të gjithë punëtorëve të hendbollit në Kosovë sidomos ndërmjet trajnerëve si në klube po ashtu edhe në Fedaratë. Duhet të përpilojmë një strategji të përbashkët për të ardhmen e hendbollit kosovar në të cilën duhet të përfshihen puna me nxënës nëpër shkolla e deri te puna me lojtarë në Kombëtare.

Cila është filozofia juaj e hendbollit?

Filozofia ime e hendbollit është një përzierje e hendbollit skandinav, ballkanik dhe atij australian. Jam për një hendboll të thjeshtë dhe efikas, thelbi i të cilit është respekti i vlerave ekipore dhe shpirti luftarak në lojë.

 

“Ky me siguri është shqiptar” 

Ishim në një turnir me Kombëtaren e Australisë në Luksemburg kur trajneri ynë na tregoi në video një lojë të kundërshtarit tonë, Luksemburgut. Menjëherë e vërejta emrin shqiptar Agron Shabani dhe bërtita i gëzuar: “ky me siguri është shqiptar”. Para lojës me ta e takova Agronin, një ish-lojtar të njohur të Kosovës së Vushtrrisë, me të cilin shumë vite më vonë luajtëm bashkë për Kombëtaren e Kosovës. Ishte fillimi i një miqësie që zgjat edhe sot. 

 


 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriTaip Ramadani
  • Prejardhja:Sydney, Australi
  • Vendi ku vepron:Kosovë
  • Profesioni:Trajner hendbolli