Lajme

Talat Xhaferi i drejtohet në shqip Kuvendit të Maqedonisë, irriton VMRO-në

Talat Xhaferri seancën e filloi në gjuhën shqipe, megjithatë u shpreh se deri në miratimin e ndryshimeve të ligjit për përdorimin gjuhëve, seancat do t’i udhëheq në gjuhën maqedonase

Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi e ka nisur në gjuhen shqipe seancën e parë plenare të Kuvendit maqedonas si kryeparlamentar, në të cilën pritet të votohet përbërja e re qeverisëse. Fjalimi tij në shqip ka irrituar ligjvënësit e VMRO DPMNE-së, partisë më të madhe maqedonase, të cilët fjalimin e tij e kanë quajtur jashtligjor.

Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE që në fillim të seancës theksoi se Xhaferi me paraqitjen e tij në gjuhën shqipe ka shkelur kushtetutën dhe rregulloren për punën e Kuvendit. Ai gjithashtu theksoi se ky Kuvend dhe kjo seancë fillojnë me një njollë jodemokratike e cila do të rëndoj mbi Talat Xhaferin, “sepse ai është i vetmi që pranoi të jetë kryetar i Kuvendit i zgjedhur në mënyrë jo-demokratike”.

Sipas Milloshoskit, VMRO-ja nuk do e njoh Xhaferin për kryetar të Kuvendit por vetëm si deputet, citon AlsatM.

Xhaferi në kundërpërgjigjet e tij theksoi se ai është zgjedhur nga shumica parlamentare dhe si i tillë në mënyrë legjitime dhe në përputhje me kushtetutën, ligjet dhe rregulloren për punën e Kuvendit do ta ushtroj funksionin e tij, si kryetar i Kuvendit.

Ndërkohë Ilija Dimovski, kërkoi që në mënyrë urgjente të miratohen ndryshime dhe plotësime në Kodin Zgjedhor, që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në fillim të muajit tetor.

Ndërsa Goran Misovski nga Lidhja Socialdemokratike tha se definitivisht pas 8 viteve nga foltorja, me kënaqësi, do t’i drejtohet Kryetarit të Kuvendit. Ndërkohë që kundërshtoi propozimin e Dimovskit të VMRO-së, sepse sipas tij nuk mund të hapet debat për asnjë ligj derisa nuk formohen komisionet parlamentare.

“Gjithnjë derisa deputetët e VMRO-DPMNE-së bllokojnë formimin e grupeve parlamentare dhe trupave kuvendore, Kuvendi nuk mund të hap debat për ndonjë propozim ligj”, tha Misovski.

Kjo është seanca e parë që drejtohet nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili u zgjodh kryetar më 27 prill, një seancë që eskaloi në dhunë, pasi në Kuvend u futën huliganët e ish kryeministrit  Nikolla Gruevski. Xhaferi u njoh si kryeparlamentar legjitim edhe nga diplomacia evropiane dhe ajo amerikane, ndërsa është shqiptari i parë në Maqedoni që drejton Kuvendin.