Futboll

Talenti shkupjan vishet kuqezi

Erdon Daci për albinfo.ch është shprehur se ka pranuar të luajë për Shqipërinë U-21

Numri i shqiptarëve nga Maqedonia që po zgjedhin Shqipërinë, po rritet çdo ditë e më shumë.

I fundit është Erdon Daci. Talenti nga Shkupi ka vendosur të luajë për Shqipërinë dhe për këtë shprehet shumë i lumtur.

“Po, është e vërtetë që kam zgjedhur. Më kanë kërkuar dhe ju kam përgjigjur pozitivisht. Tani kanë filluar procedurat për t’u pajisur me pasaportën shqiptare”, deklaroi Daci për albinfo.ch.

Ai luan në Turqi. Daci iu bashkua skuadrës turke së Eskishehirspor në formë huazimi nga radhët e Konyaspor, derisa pritet të luajë për Shqipërinë U-21.

“Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Shqipërisë kanë folur me babanë tim, dhe kanë filluar procedurat për t’u pajisur me pasaportë”, thekson tutje Erdoan Daci për albinfo.ch.

Ai shihet si një lojtar që premton shumë për të ardhmen. Një sulmues që pritet të ndihmojë kuqezinjtë. “Prej Maqedonisë nuk kam pasur ofertë. Jam shqiptar dhe ndihem shumë krenar që më është ofruar kjo mundësi. E kam pranuar me shumë dëshirë”, përfundoi Erdon Daci.