Kosova

Të dielën shpallet Qeveria “Rama 2”, në kabinet edhe një ministër për Diasporë

Gjatë një takimi të zhvilluar sot (e enjte) me ambasadorët kryeministri, tha se qeveria e re do të ketë një ministër shteti për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka konfirmuar se të dielën, gjatë asamblesë së Partisë Socialiste do të shpallet edhe qeveria e re “Rama2”, e cila sipas deklarimeve do të ketë më pak ministra se që kanë pasur qeveritë e kaluara. Gjatë një takimi të zhvilluar sot (e enjte) me ambasadorët kryeministri, tha se qeveria e re do të ketë një ministër shteti për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

“Diaspora është një potencial i pashfrytëzuar që nuk mund ta jetojmë si një marrëdhënie që kurorëzohet në festa kombëtare apo në takime sporadike të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me shqiptarët jashtë vendit, të cilat janë takime shumë të rëndësishme, por krejt periferike dhe krejt pa fryt, po të shohim gjerësinë e botës së dijes së shqiptarëve jashtë kufijve dhe vendosja e një figure shteti ndihmon”, tha Rama.

Shqipëria, sipas tij, nuk e ka luksin që t’i lë jashtë vëmendjes “çdo qelizë të trupit shqiptar nëpër botë, dhe jo më pjesë të atij truri që janë jashtë kontakteve me Shqipërinë në kuptimin institucional”.

Ndryshe, siç është deklaruar më herët, Qeveria “Rama2” do t’i ketë 12 ministri, ndryshe nga kjo “Rama 1” që ka 19 ministri.