Jeta në Zvicër

Të huajt paguajnë më shumë se zviceranët për sigurimin e makinave!

Jo të gjithë, sidomos jo ata që tashmë janë bartës të pasaportës zvicerane, por prapëseprapë janë të shumtë njerëzit tanë që paguajnë më tepër se sa disa të tjerë për sigurimet e veturave të tyre në Zvicër. Janë kryesisht disa nga arsyet vijuese që e sqarojnë këtë :

Rregullat që mbizotërojnë në fushën e së drejtës private zvicerane – ku përfshihet edhe lëmi i kontratave të sigurimit të veturave – privilegjojnë lirinë kontraktuese e cila nënkupton se propozuesi i kontratës të definojë tarifat që i përshtaten atij, duke qenë i lirë që të lidhë apo jo një kontratë me ndonjë individ. Me fjalë të tjera, ashtu si edhe në lëmin e punës apo qirasë së banimit, edhe në lëmin e sigurimeve, një firmë sigurim e veturave nuk është aspak e detyruar të lidhë kontratë me dikend që duket se nuk i konvenon sidomos në aspektin e leverdisë financiare apo në të kudërtën do t’i pranojë të gjitha kategoritë e personave të interesuar, por duke aplikuar disa kritere specifik pranimi ku përfshihet edhe shtetësia e kandidatit. Kjo e fundit ndikon drejtpërdrejt edhe në caktimin e nivelit të tarifës së sigurimit.

Është pikërisht shtetësia e njerëzve tanë ajo që shpesh ndikon që tarifat për ta të jenë shumë më të larta se sa për disa shtetas të tjerë. Këtu e gjejmë pra sqarimin që disa sigurime aplikojnë tarifa më të larta për disa shtetas të huaj, ku përfshihen natyrisht edhe shtetasit e viseve tona, të cilët konsiderohen nga disa kompani si shpenzues potencialisht më të lartë të sigurimeve.  Mënyra e tillë e veprimit të disa sigurimeve natyrisht se bie në ndesh me rregullat që kanë të bëjnë me barazinë dhe mos diskriminimin. Megjithatë, duhet pranuar se edhe mekanizmat juridikë të shtetit zviceran tregohen  të pafuqishme për luftimin e padrejtësive eventuale në këtë fushë, pasi që parimi i lirisë kontraktuale është ai i cili dominon.

Pra, shumë kompani zvicerane të sigurimit i arsyetojnë praktikat e tarifave më të larta për disa shtetase, duke u bazuar në faktorët që lidhen me shpenzimet që u shkaktojnë kandidatët në përgjithësi. Në praktikën zvicerane nuk aplikohet detyrimisht modeli i quajtur « bonus malus », i cili mundëson që të bazohemi në kritere më precize për të individualizuar përgjegjësinë, edhe ate duke mbajtur një llogari më të qartë për çdo rast, që mundëson pastaj përshtatjen e tarifave për çdo individ. Një aplikim i përpiktë i metodës së tillë, mundëson të shmanget nevoja që të merret parasysh edhe kriteri i shtetësisë. Metoda e tillë, nuk është as e detyrueshme e as aq e pranishme në Zvicër në krahasim për shembull me Francën, Belgjikën e Greqinë. Kjo nuk domethënë se në Zvicër nuk merren parasysh një sërë kriteresh para se të lidhet apo përshtatet një kontratë sigurimi, por prapëseprapë përkatësia nacionale e kandidatit mban një peshë të madhe.

Imazhi i keq i përgjithshëm që vazhdon edhe me tutje të na përcjellë e shoqërojë, përfshirë edhe paragjykimet e padrejta, statistikat e shpenzuesve të mëdhenj të sigurimeve, aktet e papërgjegjshme, natyrisht se ndikojnë drejtpërdrejt në problemin e çmimeve të larta. Kështu që, edhe vozitjet ndonjëherë të shpejtësive të pakontrolluara që bartin tabelat e huaja (qoftë zvicerane apo të tjera) dhe që na bien në sy në Tiranë, Shkup et Prishtinë, e bartin me vete edhe çmimin e vet, jo vetëm tek qytetari i revoltuar si dëshmitar i një akti të pahijshëm, por edhe më larg, sidomos edhe tek buxheti i ndonjë bashkatdhetari që është i detyruar t’a paguajë çmimin e të tjerëve ! E pikërisht për hirë të këtyre të pafajshmëve, do të ishte mirë që sigurimet zvicerane t’i adaptojnë mekanizmat e tyre tarifore, duket evituar që t’i fusin ndonjëherë të gjithë njerëzit në të njëjtin « thes ».

Autori është udhëheqës i një zyre juridike në Neuchâtel